Rusia ka akuzuar partinë udhëheqëse në Moldavi se ka udhëhequr “një fushatë shtypjeje” kundër opozitës gjatë zgjedhjeve lokale që u mbajtën fundjavën që shkoi.
Partia pro-perëndimore e presidentes moldave, Maia Sandu, doli e para në zgjedhje, por nuk mori rezultate të kënaqshme në zgjedhje, përfshirë në kryeqytetin moldav, Kishiniev.
Me tensionet që janë të larta që kur Rusia ka nisur ofensivën e saj në Ukrainën fqinje, Moldavia në minutat e fundit ndaloi një parti pro-ruse që të merrte pjesë në zgjedhje, duke e akuzuar se ka përdorur fonde të paligjshme nga Moska.
Përmes një deklarate, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se zgjedhjet kishin “forcuar pozicionin e forcave opozitare”.
Ajo tha se Moldavia ka ndërmarrë “një fushatë të paprecedent shtypjeje kundër opozitës” dhe e akuzoi shtetin për “diskriminim” të kandidatëve që flasin gjuhën ruse.
Vëzhguesit ndërkombëtar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë fundjavës shprehën shqetësim lidhur me “ndërhyrjen nga jashtëm dhe pretendime për blerjen e votave” në zgjedhjet lokale në Moldavi.
Përmes një deklarate, vëzhguesit e OSBE-së po ashtu shprehën keqardhje për “përdorimin e gjerë të fuqive ekzekutive gjatë gjendjes së jashtëzakonshme që në minutat e fundit ndaluan garën e disa kandidatëve, por edhe bllokimet e shumta të mediave”.
Akuzat e Rusisë vijnë teksa pushtimi rus i Ukrainës po zhvillohet qe 20 muaj.
Moldavia, që ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, ka aplikuar për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe vazhdimisht e ka akuzuar Rusinë se ndërhyn në çështjet e saj të brendshme. /REL