Të paktën dy persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në një sulm “masiv” me dron ukrainas gjatë natës në rajonin e Moskës, tha guvernatori Andrei Vorobyev.
Vorobyev tha se 249 dronë ishin rrëzuar dhe raportoi zjarre në disa shtëpi banimi. Një depo lokale ishte gjithashtu në flakë. Në kryeqytetin Moskë, një rafineri nafte u dëmtua dhe kufizimet e fluturimit ishin në fuqi në dy aeroporte.
Më parë, një zyrtar ukrainas tha se shtatë persona, përfshirë dy fëmijë, u vranë në sulmet ruse në rajonet e Kievit dhe Sumit të shtunën.
Rusia dhe Ukraina kohët e fundit kanë intensifikuar sulmet e tyre, duke synuar objektet e gjenerimit të energjisë dhe transportit, si dhe qendrat kryesore të logjistikës.
Në një postim në Telegram të dielën, Vorobyev tha se një grua 44-vjeçare u vra në Sofyino pasi një dron goditi një ndërtesë banimi trekatëshe. Pesë persona të tjerë – përfshirë dy fëmijë – u plagosën, tha ai.
Në distriktin Orekhovo-Zuevo, një burrë i moshuar vdiq pasi një shtëpi private u godit, tha guvernatori rajonal.
Në mediat sociale janë shfaqur video që supozohet se tregojnë shpërthime në qiellin e natës në rajonin e Moskës dhe një depo në flakë. Pamjet nuk janë verifikuar nga BBC.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se një dron goditi një ndërtesë pranë njërit prej bulevardeve të kryeqytetit dhe se një strukturë në një rafineri nafte u dëmtua.

