EKSKLUZIVE/ Kundërshtohet propozimi i Francës për të shtyrë hapjen e negociatave me Shqipërinë

schedule15:04 - 11 Tetor, 2019

schedule 15:04 - 11 Tetor, 2019

Propozimi francez në lidhje me negociatat e anëtarësimit ka hasur në kundërshtime. Disa nga vendet anëtare që e mbështesin procesin kanë propozuar një opsion të ri, reformimin e zgjerimit, siç kërkon Parisi, në këmbim të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian janë mbledhur sërish këtë mëngjes për të diskutuar ndër të tjerash edhe për çështjen e  zgjerimit tê Bashkimit Europian.

Burime zyrate të shteteve anëtare kanë bërë të ditur për ABC News, se propozimi francez për të reformuar procesin e zgjerimit dhe për të shtyrë vendimmarrjen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars të 2020 ka hasur shumë kundërshtime.

Këto kundërshtime nuk kanë të bëjnë me reformimin e procesit të zgjerimit, që pranohet në parim si nevojë, por me faktin që Franca lidh prezantimin e masave konkrete për  reformën, e procesit të zgjerimit me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Mars të 2020.

ABC News ka mësuar, se një nga opsionet që po diskutohet është që të pranohet propozimi i Francës për reformimin e zgjerimit nê shkëmbim të hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, burime daneze kanë bërë të ditur për ABC Neës, se parlamenti danez diskuton sot hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Deri tani, Danimarka, ashtu si dhe Holanda ka mbrojtur ndarjen e dy dosjeve, për t’ë mundësuar dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut edhe në rastin nëse nuk do të arrihet një PO e kushtëzuar për Shqipërinë.

Ndërkohë, është folur edhe për një qëndrim të përbashkët të Holandës dhe Francës lidhur me çështjen e hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Një tjetër takim i ambasadorëve të përhershëm të BE-së  do të zhvillohet të hënën, një ditë para marrjes së vendimit nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!