Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që të rinumërohen kutitë e 303 vendvotimeve tw zgjedhjeve tw sw dielws. Këtë vendim, KQZ e mori pas rekomandimit të Qendrës për Numërimin e Rezultateve.
Koordinatori i qendrës ka bërë me dije se të gjitha këto kuti janë dërguar në karantinë. Sipas tij, bëhet fjalë për një gabim teknik pasi disa formularë janë shtypur gabimisht. Vendimi vjen një ditë pasi KQZ shpalli të përfunduar numërimin e votave te rregullta të zgjedhjeve të parakohshme të së dielës.
Numërimi konfirmoi kryesimin e lëvizjes Vetëvendosje, me 25.48 për qind; e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave dhe Partia Demokratike e Kosovës, në vend të tretë me 21.24 për qind të votave.
Ndërkohë, koalicioni mes AAK-së dhe Partisë Social Demokrate mori 11.57 për qind të votave, duke lënë pas Listën Serbe me 6.61 për qind. Aleanca Nisma-AKR-PD mbeti nën pragun zgjedhor, pasi mori vetëm 4.96 për qind të votave. Nga numërimi tërësor i votave, 40 mijë e 732 fletë votimi u shpallën të pavlefshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./abcnews.al