Mensah: Lerda s’më donte te Partizani, fala edhe premion e titullit!

schedule09:04 - 9 Tetor, 2019

schedule 09:04 - 9 Tetor, 2019

Emmanuel Mensah është rikthyer aty ku shpërtheu si lojtar, në Sllovaki te MFK Zemplin Michalovce. Një gjysmë sezoni e ktheu ganezin në një nga lojtarët më interesantë të kampionatit dhe më pas zgjodhi të provojë Superioren. Në janar të vitit 2017 erdhi dhe ndihmoi Laçin të qëndronte në elitë. Shënoi 4 gola dhe ra në sy për cilësitë e tij teknike dhe i çmendi të gjithë me një gol që i shënoi Tiranës.

Ofertat për të në verë ishin të shumta, edhe nga Superiorja. Zgjodhi Greqinë si destinacion. Aty gjërat nuk shkuan mirë dhe për llogari të Kukësit erdhi në Shqipëri. Kontrata e ofruar nuk ishte e duhura dhe menjëherë firmosi për Partizanin. Fitoi titullin kampion, duke shënuar 5 gola në kampionat dhe më pas në verë gjërat ndryshuan.

U largua trajneri Skënder Gega dhe u emërua Franco Lerda. Mensah fajëson pikërisht këtë të fundit për largimin. Më së shumti i dhemb fakti që nuk mori asnjë shpjegim dhe e pa veten të stërvitej veçmas grupit. Në fakt me këtë situatë nuk u përball vetëm ai.

“U largova nga Partizani për shkak se trajneri nuk më donte. Ai më nxori jashtë planeve të skuadrës, madje as nuk më lejonte që të stërvitesha me shokët e ekipit. Përpos këtij trajtimi, trajneri kurrë nuk ma tregoi arsyen, madje as që e mori mundimin edhe të fliste”, tregon Mensah në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama Sport”.

Sulmuesi ndër të tjera zbulon se nuk ka marrë as premion e titullit dhe pagën e fundit, por nuk është se do i kërkojë. “Ata refuzuan që të më jepnin mua premion e titullit dhe rrogën e muajit të fundit. Kjo është ajo që më mbajtën. A do ankimohem? Kjo është një çështje e mbyllur për mua”, thotë sulmuesi 25-vjeçar, i cili të shtunën edhe u rikthye të luante për MFK Zemplin Michalovce. Shqipëria për të është një kapitull i mbyllur për të. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!