Albin Kurti: Të enjten takohem me Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin

schedule22:42 - 8 Tetor, 2019

schedule 22:42 - 8 Tetor, 2019

Vetëvendosje është gati për të bashkëqeverisur me LDK, por përjashton mundësinë e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në një intervistë për Koha Vizion në Kosovë, kreu i kësaj force politike që u rendit e para në zgjedhje tha se pret të mësojë gjatë negociatave me LDK, cilin post do të kërkojë kjo parti atë të ministrit të Jashtëm apo të kryeparlamentarit.

Albin Kurti deklaroi se të enjten do të takohet me kreun e LDK, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmanin për të nisur bisedimet për koalicionin. Megjithatë, sipas tij, harmonizimi i programit është më i rëndësishëm se ndarja e posteve. Kurti ka thënë se i përmbahet ofertës drejtuar LDK-së se qeveria e ardhshme duhet të ketë 12 ministri.

Albin Kurti u shpreh i prere se nuk ka mundësi për një koalicion paszgjedhor pa LDK-në. Sipas tij, nëse nuk arrin marrëveshje me këtë parti, Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Kandidati për kryeministër tha gjithashtu se do të bashkëpunojë me serbët që e njohin Kosovën si shtet dhe që e respektojnë atë. Lidhur me vazhdimësinë e bisedimeve Prishtinë-Beograd, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi se si kryeministër i vendit ai do të rishikojë me pare të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun me Serbinë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!