“Nuk ka marrëveshje me terroristët, ata duhet të eliminohen”, gazetari izraelit: Libani po bëhet pjesë e luftës

schedule16:24 - 10 Tetor, 2023

schedule 16:24 - 10 Tetor, 2023

Prej tre ditësh, Izraeli është në luftë me grupin terrorist, Hamas, ndërsa viktimat dhe dëmet shtohen nga dita në ditë.

Në një lidhje skype në emisionin “Ballkan Update” ishte gazetari izraelit nga Tel Aviv, Larry Luxner.

Fillimisht ai foli mbi situatën që ndodhet aktualisht vendi i tij, ku tregoi se vetëm në orën e fundit ka pasur 3 sulme, ndërsa sirenat ndizen herë pas herë, e fundit e kishte kapur në rrugë.

“Po është e saktë. Unë sapo kam arritur në zyrën time. Në orën e fundit kemi pasur 3 sulme. Duhet të futeshim nëntokë. Në spital qindra njerëz janë afruar për të dhënë gjak.

Së fundmi nisën alarmet, unë nuk kisha ku të shkoja, u futa në një godinë aty pranë, bashke me disa persona të tjerë” tha ai.

Hamas gjatë këtyre 3 ditëve ka lëshuar me qindra raketa ajrore ndaj Izraelit, me këta të fundit që kanë hasur vështirësi në eliminimin e tyre.

Gazetari tha se ata nuk janë ende shumë të sigurtë, edhe pse shumë prej terroristëve janë vrarë ose rrëmbyer dhe kufiri me Gazën është marrë nën kontroll nga Izraeli.

“Ne nuk jemi shumë të sigurtë. Tani për tani të gjithë terroristët janë vrarë dhe rrëmbyer. Kufiri është mbyllur dhe është nën kontroll.

Ka pasur disa sulme ajrore që vijnë nga Gaza. Ajo që mund të them, që bilanci i të vdekurve ka shkuar mbi 1 mijë, mbi 2 mijë të plagosur dhe 150 të rrëmbyer” shtoi ai.

Për shkak të numrit të lartë të të plagosurve autoritet shëndetësore kanë bërë thirrje për dhurim gjaku, një thirrje e cila është dëgjuar nga izraelitët të cilët janë paraqitur nëpër spitale dhe kanë plotësuar nevojën për gjak.

“Jo, mendoj se izraelitët janë ngritur dhe shumë njerëz janë afruar për të dhënë gjak. Nuk është më një nevoje imediate, ajo që na nevojitet është bashkimi në Luftë. Libani sa duket do të hapë një front tjetër lufte” theksoi Luxner.

Në fund ai foli edhe në lidhje me mundësinë e një marrëveshjeje paqeje, mes Izraelit dhe Palestinës, ku u shpreh se më shumë mundësi ka që një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Izraeli nuk mund të bëjë paqe me terroriste, e vetmja mundësi sipas tij është eliminimi i tyre.

Luxner po ashtu falënderoi Shqipërinë dhe Kosovën, por solidaritetin e treguar.

“Të jem i sinqertë unë shpresoj që Kosova dhe Serbia të gjejnë një marrëveshje paqësore me shumë se ne dhe fqinjët tani.

Fatkeqësisht kjo është një situatë që njerëzit janë të ngjashëm. Hamasi e ka treguar veten e tij që të jetë ekuivalent i ISIS. Nuk e dija që ishte e tillë, që donte të vriste dhe të përdhunonte gra, por kjo po ndodh.

Nuk mund të negociosh me njerëz të tillë. Në Gaza ka njerëz të ndershëm që duan, paqe dhe prosperitet, por drejtuesit atje kanë bërë të kundërtën.

Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të eliminojmë terroristët, ndryshe nuk ka zgjidhje.

E vlerësoj shumë solidaritetin që Shqipëria dhe Kosova kanë treguar për Izraelin” përfundoi ai.r.t/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!