Uashingtoni po ofron të dërgojë ekspertë për të ndihmuar Izraelin për të liruar pengjet e mbajtura nga njerëzit e Hamasit, ka zbuluar Koordinatori i Komunikimeve Strategjike të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.
Në komentet e së martës, Kirby tha se një “paketë ndihme” e SHBA ishte në rrugën e saj për në Izrael.
“Presidenti i SHBA Joe Biden, që pritet të mbajë përsëri bisedime me Benjamin Netanyahu, do të bëjë të ditur qëndrimin e Uashingtonit ndaj Izraelit dhe do të flasë për paketën e ndihmës për sigurinë që është në rrugë për atë vend. 11 amerikanë janë vrarë nga sulmet e Hamasit në Izrael dhe ky numër pritet të rritet. Ne do të diskutojmë mbrojtjen e komunitetit hebre në Amerikë. Ne po punojmë për të siguruar që Izraeli të ketë atë që i nevojitet për të mbrojtur veten”, tha Kirby.
“Ne i ofruam ekspertë Izraelit për të liruar pengjet. Nuk e dimë nëse mes pengjeve janë edhe amerikanët. Ne kemi paralajmëruar çdo organizatë që dëshiron të shfrytëzojë situatën kundër Izraelit, duke përfshirë Iranin dhe Hezbollahun libanez. Ne nuk kemi plane të dërgojmë trupa amerikane për të ndihmuar Izraelin të rimarrë pengjet” shtoi ai.