“Qytetarët” e Manchester City po vijon të tregojë se e meriton titullin kampion të Evropës, teksa mbrëmjen e së mërkurës mundi me rezultatin e thellë, 1 me 3, “demat” e RB Leipzig, në përballjen e vlefshme për raundin e dytë të fazës së grupeve të UEFA Champions League.
Pas ndeshjes, një koment të shkurtër për mediat e ka bërë dhe tekniku i “qytetarëve”, Pep Guardiola, i cili dukej tepër i lumtur për fitoren e skuadrës së tij, teksa theksoi se skuadra e tij e urren të humbasë.
“Skuadra ime e urren të humbasë.Nuk është kurrë një ditë e bukur kur ti nuk fiton. Ky është standardi që ne kemi në klub. Kemi shumë fitues dhe e dimë se si ta menaxhojmë këtë situatë.
Është gjithnjë një moment i vështirë kur ndodh dhe kështu duhet të jetë. E treguam se nuk e humbasim gëzimin dhe entuziazmin. Është një ndjesi pozitive që ne e urrejmë kaq shumë të humbasim. Kjo është arsyeja përse ne vazhdojmë të fitojmë”,- u shpreh Guardiola. /i.m /abcnews.al