Një bibliotekë e çelur në vitin 1930 vijon, pa ndërprerje, aktivitetin e saj për miqtë e librit. Biblioteka Thoma Turtulli, është e para bibliotekë, që është hapur ne qytetin e Korçës në sajë të kontributit të dy njerëzve më të rëndësishëm të kohës, Intelektualit Nikolla Lako dhe filantropit Thoma Turtulli. Arsyeja ka qenë një e vetme: Rinia të largohet nga kafenetë dhe të shkojë tek libri.
Historia e saj nis në vitet e para të shekullit të njëzetë dhe lidhet me përpjekjet e intelektualëve dhe filantropëve korçarë për të krijuar në qytet një vatër të dijes dhe kulturës. Përveç ndërtesës qe u ndërtua nga Thoma Turtulli, u krijua dhe bërthama e pare e librave.
Nikola Lako do të kontribuonte edhe në krijimin fondit albanologjik, me libra të sjellë nga Parisi.
Por që në fillimet e saj, biblioteka nuk u mendua vetëm si një vend ku ruheshin dhe lexoheshin libra. Brenda saj zhvilloheshin edhe kurse vizatimi e fiskulture, duke e kthyer institucionin në një hapësirë më të gjerë edukimi.
Për veprimtarinë dhe kontributin e tij, Turtulli u nderua në kohën e Mbretërisë edhe me Urdhrin e Skënderbeut. Historia e institucionit vijoi bashkë me ndryshimet e qytetit dhe kërkesat e kohës. Në vitin 1978, biblioteka publike u zhvendos në një godinë tjetër, duke vazhduar aktivitetin e saj për breza të tërë lexuesish korçarë.
Gati një shekull pas krijimit të saj, biblioteka hyn në një tjetër etapë. Rikonstruksioni i përfunduar këtë vit nuk ka synuar vetëm restaurimin e godinës, por edhe përshtatjen e saj me mënyrën se si lexohet, studiohet dhe kërkohet informacioni sot.
Fondi prej rreth 25 mijë librash shoqërohet tashmë me një sistem modern dhe shërbime të automatizuara, ku lexuesi mund të kërkojë sipas autorit apo titullit dhe të gjejë vendndodhjen e librit në fondin e bibliotekës.
Por koncepti i ri e zgjeron edhe më tej funksionin e bibliotekës. Hapësirat e saj janë menduar edhe për fëmijët dhe nxënësit që, pas përfundimit të mësimit, mund të studiojnë, të zhvillojnë detyrat apo të kalojnë kohë në aktivitete krijuese.
Teknologjia, kurset e kodimit, lojërat krijuese dhe interaktive, si edhe një hapësirë kinemaje, bashkëjetojnë tashmë me librin dhe leximin.
Më 24 shtator, me përfundimin e investimit, nuk u rikthye thjesht një godinë e restauruar. U rihap një hapësirë që mbart një histori gati njëshekullore të kulturës dhe edukimit në Korçë.
Nga librat e sjellë dikur nga Parisi, te kërkimi digjital i një titulli; nga kurset e vizatimit të fillim shekullit të kaluar, te teknologjia dhe kodimi sot, biblioteka ka ndryshuar mjetet, duke ruajtur të njëjtin qëllim.


