Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka folur menjëherë pas ndeshjes kundër Kukësit për Supersport, ku u shpreh shumë i lumtur për fitoren e të tijve. Mes të tjerash, numri një i stolit shkodran tha:
NDESHJA – “Fituam ndaj një ekipi shumë të fortë. Kukësi ka sulmues shumë të mirë, mesfushë edhe më të fortë. Ishte detyrë e jona të luanim me kundërsulme. Shënuam shpejt, pjesa e parë ishte e barabartë. Kukësi na bëri shumë presin dhe dhanë maksimumin për ta përmbysur rezultatin. Gavazaj e Shkurtaj ishin shumë të rrezikshëm. Është hera e parë që luajta me tre mbrojtës, futbolli ky është, përshtatesh. Jam shumë i lumtur që shënuam sërish dhe e fituam takimin”.
RENDITJA – “Çdo skuadër është në një nivel, edhe po të shohësh klasifikim, mjafton një humbje dhe skuadra shkon shumë. Besoj që deri në fund të nëntorit skuadrat do të shkojnë në vendin e tyre. E kam thënë që Vllaznia është një skuadër shumë e fortë. E shoh tani që kemi humbur 2 pikë me Luftëtarin, ndoshta në të ardhmen do të na duhen ato pikë. Tani kemi 15 ditë pushim kështu që do të punojmë fort”.
OBJEKTIVAT – “Vllaznia ka luajtur në vendet e poshtme në vitet e fundit dhe ka rënë nga kategoria, por situate është më e mirë. Problemet më të mëdha janë larguar. Plani dhe objektivi është të krijojmë stabilitet, jo të flasim për Europë apo objektiva të tjerë”, përfundoi Jonuz./abcnews.al