Tirana do tre pikët në tavolinë, pasi pretendon se Flamurtari ka aktivizuar një lojtar kundër rregullave të garës. Bardheblutë i referohen nenit 30, pika 3, ku aneksohet diçka e tillë. Gjithsesi në Vlorë janë të sigurt që gjithçka e kanë bërë në rregull.
Flamurtari fillimisht kishte përzgjedhur tetë lojtarë si rezerva, ndërkohë që më pas është shtuar edhe i ri Muçollari. Për këtë, pas ndeshjes, ata kanë shpërndarë për mediat edhe protokollin zyrtar me ndryshimin e bërë. Gjithsesi për mediat para fillimit të sfidës nuk është komunikuar ndryshimi.
ÇFARË NDODHI DJE – Ariel Muçollari u hodh në fushë pak minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë. Emri i të riut vlonjat nuk figuronte në protokollin e ndeshjes, që i ishte shpërndarë mediave. Në fakt as në protokollin zyrtar nuk ka qenë, sikurse shihet në foton e mëposhtme.
Tirana e ka vënë re atë që ka ndodhur dhe është interesuar për të marrë informacione. ABC News mëson se delegati i ndeshjes, Besnik Çela, është shprehur se ai është njoftuar nga Flamurtari për ndryshimin në protokoll. Nga ana tjetër Tirana pretendon se nuk është bërë procedura, riprodhimi i protokollit për median dhe njoftimi i klubit mik. Pikërisht këtu pretendon të përfitojë klubi bardheblu. /abcnews.al