Gra dhe vajza në Prishtinë janë rikthyer sot në shesh për ditën e dytë rresht, për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, të vrarë nga kunati i saj.
Në protestat para institucioneve, qytetarë dhe aktivistë kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla dhe atij të Brendshëm Xhelal Sveçla.
Protestuesit u kërkojnë qeveritarëve të mbajnë përgjegjësi për këtë krim, pasi kërkesa për ndihmë e viktimës u injorua nga policia.
Ndërkohë, veprime janë bërë vetëm mbi punonjësit rajonalë të institucioneve, si pezullimi i kryeprokurores së Pejës Lumturije Vuçetaj, prokurores së rastit të Zekajt, Arlinda Nallbani dhe 11 zyrtarëve policorë.
Vetë Kuvendi ka themeluar një komision parlamentar për të hetuar nëse ka pasur mungesë veprimesh nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
Përpara komunës së Ferizajt dhjetëra qytetarë kanë kërkuar drejtësi dhe siguri për gratë, ndërsa një tjetër protestë është planifikuar të premten edhe në Pejë.
Që nga fillimi i vitit, tetë gra janë vrarë në Kosovë nga bashkëshortët apo familjarët e tyre.
Arlinda Zekaj dhe bashkëshorti i saj ishin në betejë ligjore që nga “ndarja pa letra” në vitin 2025 dhe denoncimi i parë i saj në korrik të vitit 2026 për dhunë në familje.
Pak minuta pasi kthehet në Vitomiricë të Pejës, nga stacioni policor, ajo vritet brenda shtëpisë së përbashkët me sëpatë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili i shpëtoi policisë për tre ditë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pranuar se në rastin e Arlindës ka pasur dështim të drejtësisë, ndërsa Donika Gërvalla do të mbahet mend për deklaratën skandaloze në Kuvend.


