Për Fatbardh Kadillin, Sali Berisha është shërbëtori më i mirë i Edi Ramës, pasi sic u shpreh ai, po keqpërdor nostalgjikët e vet për të marrë peng opozitarizmin. Në një intervistë me gazetaren Elisa Gjerani për Tirana Live, Kadilli komentoi edhe reagimin e kreut të PD në Kukës, pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme vendore.
“Pyetja e tij është retorike, ai është njeri me reputacion mjaft të mirë në Kukës. Nuk pranonte të ishte në proceset farsë të Rithemelimit, dhe nuk pranoi Berisha për një bashkim, për një rezultat të paktën më dinjitoz. Problemi nuk është thjesht si del rezultati në Kukës, Pyetja e vërtetë është kur humbet në mënyrë të turpshme, pse rri në politikë, i jep dot shpjegim shqiptarëve që je i vlefshëm për shqiptarët.
Sali Berisha nuk mund të keqpërdorë nostalgjikët e vet për të marrë peng opozitarizmin, sepse kështu bëhet shërbëtori më i mirë i Edi Ramës, dhe mos akuzojë askënd për kompromise me Ramën. Kur do ta mundë Ramën ky njeri. Dhe del e thotë nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Po me kë do i vëjmë ne zgjedhjet, do presim të vdesë Edi Rama? Si do bëjmë ne zgjedhje? Me revolucionin që është bërë qesharak duke e thënë miliona herë me valën dhe stinat e protestave imagjinare? Kur nuk fiton dot mbështetje në Kukës, Tropojë, Shkodër, cfarë presin këta. Vijojnë dhe thonë dihej, kjo është edhe më e paturshme.” vijoi më tej Kadilli, ndërsa theksoi se mbështetësit e tij thjesht po kacavirren mbi pushtetin që ka Berisha.
“Ka edhe njerëz që janë bërë deputetë se do ishin leshko rrugësh dhe tani u thonë njerëzve ky është zgjedhja jonë. Jo nuk është zgjidhja jonë, prej 2013. ” vijoi më tej Kadilli.