Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp i është referuar një raporti të Eurostat, për të deklaruar se leku shqiptar ka thyer rekord në zhvlerësimin e euros dhe dollarit, duke gjetur dhe arsyen.
“Ka gjetur lidhje midis kursit në rënie të euros, dhe kjo është vetëm në vitin 2024, se po të hysh më tej do kishte rënë përtokë në vitin 2026, kursit të euros dhe sipërfaqes së lejeve të ndërtimit. Pra, parave të drogës. Ky është faktori më kryesor që përcakton këtë rënie katastrofale të euros dhe dollarit.”
Për rënien e euros dhe dollarit, Berisha bën lidhjen e pastrimit të parave të drogës në kullat e Tiranës. Ai i bën thirrje institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht organit monitorues të pastrimit të parave MONEYVAL në Këshillin e Europës, të vlerësojnë situatën e lekut shqiptar.
“I bëj thirrje MONEYVAL-it dhe të gjitha agjencive të tjera, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Seksionit Antidrogë, sirenat më të fuqishme të alarmit për një vend kanë rënë prej kohësh, por duhen dëgjuar.”
Por kërkon të mos mjaftohen vetëm me raporte, por të vendosin sanksione politike në një kohë kur Shqipëria është në hapin e fundit të anëtarësimit në BE.
“Por, dënimi politik dhe masa të tjera, sanksione ndaj regjimit, janë të domosdoshme”.
Në 10 vite, euro është zhvlerësuar krahasuar me lekun shqiptar në masën 33%, duke u këmbyer nga 1 euro për 136 lekë në 2016, në 1 euro për rreth 92 lekë në 2026. Opozita akuzon se arsyet kryesore janë trafiku i drogës që sjell pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, kurse qeveria i ka hedhur poshtë këto pretendime. Sipas saj, leku është forcuar falë investimeve të huaja, bumit turistik, remitancave të qëndrueshme dhe eksporteve të shërbimeve./abcnews.al


