Ish zëvendës ministri i Jashtëm në Kosovë, Anton Berisha e ka cilësuar si tepër të rëndë sulmin e ndodhur ditën e djeshme në veri të Kosovës, ku një grup serb qëlloi për vdekje një efektiv dhe plagosi një tjetër.
Në një intervistë për ABC News, Berisha u shpreh se nga aspekti diplomatik, kjo ngjarje nuk ishte e papritur dhe se grupi serb veproi sapo pa se Kosova ndodhej në moment të vështirë.
Sipas Berishës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të marrë mësim nga kjo ngjarje dhe shtoi se dialogu duhet të ecë përpara.
“Kjo ngjarje është e rëndë. Kemi një polic të vrarë, 1 të plagosur. Në aspektin diplomatik nuk është ngjarje e papritur. Nëse politika nuk arrin të shtensionojë situatën, produkt do të jenë krizat në terren. Serbia, mendoj që kanë dhënë provat edhe në të kaluarën, se janë të çmendur në kërkesat dhe veprimet e tyre. Rasti i djeshëm ishte një kalkulim i gabuar i tyre. Lëvizjet apo operimet në këtë zonë, kanë një kufizim sa i përket bashkësisë ndërkombëtare. Dialogu duhet të ecë para, sepse mos ecja e dialogut para, nënkupton raste të kësaj natyre. Pala kosovare, nuk është e interesin e Kosovës që të mbajë krizën hapur, ngjarjet po ndodhen në territorin e Kosovës, viktima ishte në territorin e Kosovës, i gjithë konflikti flet për rast të rëndë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës duhet të marrë mësim nga kjo ngjarje. Serbia, e ka dobësuar pozicionin e saj në dialog dhe në raport me ndërkombëtarët. E vetmja mënyrë dialogu e Serbisë, është ajo që ndodhi dje”, theksoi ai./abcnews.al