Atentati në Lushnje, Besnik Hida shqetësoi autorët e masakrës ndaj nipit

schedule12:48 - 2 Tetor, 2019

schedule 12:48 - 2 Tetor, 2019

Grupi hetimor në Lushnje ka përcaktuar dhe pistën e parë të hetimeve për vrasjen e Besnik Hidës mëngjesin e së martës. Viktima prej dy vitesh afronte informacion rreth autoreve që i ekzekutuan nipin e tij Zamir Latifin. 

Besnik Hida i cili u ekzekutua egërsisht mëngjesin e së martës në Lushnjë kërkonte drejtësi për nipin e vrarë dy vite më parë nga bandat.

Interesimi i viktimës së djeshme për zbardhjen e atentatit të tetorit 2017 ku viktimë mbeti Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, i ka shqetësuar autorët e masakrës.

Ai shumë herë është parë në shoqërine e njerëzve të antikrimit dhe të prokurorëve duke afruar të dhëna dhe informacione.

Kjo është nga pistat kryesore ku po orientohet grupi hetimor për vrasjen e Besnik Hidës, i cili nuk ka patur asnjë problem me ligjin.

Hida kishte biznes për pjesë këmbimi të makinave të përdorura dhe njihej si person i qetë dhe i komunikueshëm me të gjithë.

Pas ngjarjes janë marrë në pyetje familjarë të viktimës, por askush nuk ka vënë gishtin mbi personat që kryen ekzekutimin.

Edhe për ngjarjen e dy viteve më pare nuk ka asnjë të arrestuar. Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka nisur hetimin duke marrë në shqyrtim edhe njëherë të gjitha dosjet nga koha kur iu vu tritol mjetit të Besnik Hidës, deri tek ngjarjet që kanë të bëjnë me vrasjet në rrethin familjar.

Deri tani nuk ka asnjë person të ndaluar. Vrasja e Hidës u krye nga dy atentatorë të maskuar.

40 vjeçari u qëllua me kallshnikovë kur po pinte kafen e mëngjesit mbi tarracën katit të dytë të një biznesi në Lushnjë.

Autorët ashtu sikurse u ngjitën, u larguan qetësisht  përmes dy hyrjeve të shkallëve të kafenesë. Poshtë ndodhej makina e vjedhur në Tiranë, e cila më pas u gjet e djegur bashkë me tre armët te varrezat e makinave në dalje të qytetit.

Besnik Hida u masakrua me kallashnikov dhe ekspertët gjetën në trup dhe në kokë më shumë se 20 plumba. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!