Epitetet dhe lavdërimet nuk kanë fund. Paraqitja e Ernest Muçit në ndeshjen më të fundit të Superligës turke, të cilën Trabzonspori e fitoi falë tij në fushën e Rizesporit, bëri që gazetat kryesore të Stambollit apo të Ankarasë të shpërthenin në “hosana”.
E përditshmja “Foto Maç” nuk ka dyshime: Muçi, një numër 10 në të gjithë kuptimin e kësaj fjale! Kjo duket si një qortim për Mohamed Salahun që I mori shqiptarit këtë verë numrin 10, ndërsa sipas të përditshmes kjo I takon mesfushorit kuqezi.
Për “Foto Maçin”, Muçi ndezi shkëndijën e përmbysjes duke bërë një paraqitje të jashtëzakonshme, dhe më të mirën jashtë fushe për Trabzonsporin deri tani. E njëjta gazetë shkruan se “Muçi është shefi I orkestrës” së ekipit të tij, duke udhëhequr repartin sulmues që ka në përbërje një Salah apo një Onuaçu.
Vlerësim I veçantë jo vetëm për asistet dhe pasimet kyçe, por edhe në lojën në mbrojtje, duke fituar 9 nga 15 duelet, statistika më e mirë që kur mbërriti në Turqi. E përditshmja tjetër “Fanatik” e cilësoi shqiptarin si “makineri të asisteve”.
Në komentin e saj poshtë titullit kryesor, gazeta e Stambollit shkruajti se ylli i Trabzonsporit mori rolin kryesor në fushë pas pushimit, duke dhënë spektakël në 45 minuta, duke dhënë tre asiste, e duke krijuar edhe golin tjetër.
Agjencia e specializuar “sofaskor” e vendosi yllin kuqezi në formacionin e javës së elitës turke, me notën 9.3, duke qenë lojtari me vlerësimin më të lartë, bashkë me futbollistin e Konjasporit, Auaziem. Trabzonspori mban vendin e tretë në tabelë me 19 pikë, vetëm tri më pak se Gallatasaraj kryesues, dhe ka numrin më të madh të golave të shënuar, 22, si dhe diferencën më të mirë të golave


