Viti 1967. Shqipëria përjetonte një nga periudhat më të errëta të historisë së saj, kur u mbyllën institucionet fetare dhe simbolet e besimit u vunë në shënjestër. Në atë kohë, buzë Drinit, një burrë nga familja Ndoj do të gjente diçka që do ta mbante të fshehtë për vite me radhë: bustin e At Gjergj Fishtës.
Ishte Preç Ndoj, gjyshi i Fatmir Ndojt, ai që zbuloi bustin e poetit të madh në shtratin e lumit, kur niveli i ujit kishte rënë. Në fillim u largua i frikësuar, por, sipas historisë së përcjellë në familje, teksa po largohej, u kthye pas, me ndjesinë se diçka po e thërriste: “Mos m’le mor burrë!”
Ai u kthye, e futi bustin në një thes dhe e çoi në shtëpi. E fshehu në murin e oborrit, duke e mbrojtur nga koha dhe rreziku i shkatërrimit. Për 19 vjet, busti mbeti një sekret i ruajtur me kujdes, një dëshmi e heshtur e një kohe kur edhe kujtesa kulturore mund të vihej në rrezik.
Në vitin 1987, pak para se të ndërronte jetë, Preçi thirri të birin, babanë e Fatmirit, dhe i tregoi vendin ku kishte fshehur bustin. I la edhe amanetin që do të përcillej brez pas brezi: “Mos lejo kurrë të bahet ma keq se asht bâ.”
Pas rënies së diktaturës, busti u nxor nga vendi ku kishte qëndruar i fshehur për kaq shumë vite. Familja vendosi ta vendoste në Troshan, në zonën ku lidhet historia e tij me kujtimin e Fishtës, duke e kthyer në një simbol të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Sot, busti qëndron në hyrje të agroturizmit familjar “Hylli i Dritës”, në Fishtë, ku vizitorët mund të njihen me një histori që nuk është vetëm për një vepër arti, por edhe për guximin, kujtesën dhe besnikërinë ndaj një amaneti.
Fatmir Ndoj, sipërmarrës dhe përfaqësues i brezit që trashëgoi këtë rrëfim, sjell në ABC e Mëngjesit historinë e rrallë të bustit të At Gjergj Fishtës, të shpëtuar nga harresa dhe të ruajtur nga një familje përmes dekadave.
Një histori që na kujton se ndonjëherë, trashëgimia e një kombi nuk mbijeton vetëm në muze apo në libra, por edhe në heshtjen e një oborri, në kujtesën e një familjeje dhe në një amanet që askush nuk pranoi ta harronte./abcnews.al


