Në 8 muajt e këtij viti, Policia e Shtetit ka dyfishuar asgjësimin e bimëve të kanabisit.
“Mbi 289 mijë bimë dhe fidanë kanabis sativa janë asgjësuar në të gjithë territorin shqiptar, që nga fillimi i vitit. Muaji gusht ka pasur numrin më të lartë të sekuestrimit të drogës. Gjithsej janë identifikuar 202 persona që kanë kultivuar këto bimë, por vetëm 111 prej tyre janë arrestuar”.
Në 2022 u zbuluan dhe asgjësuan me djegie rreth 116 mijë rrënjë. Pra, shumë herë më pak se sa në vitin 2023.
Më së shumti, bimët janë zbuluar nga fluturimet ajërore që Policia e Shtetit ka kryer në bashkëpunim me Guardi di Finanza italiane, si dhe nga monitorimi i territorit nëpërmjet dronëve.
Parcelat janë konstatuar në zona malore, tokë pa pronarë, ku identifikimi i poseduesve të drogës bëhej edhe më i vështirë për forcat e rendit.
Shkodra, Fushë-Krujë dhe Lezha janë zonat ku janë asgjësuar më shumë bimë e fidanë kanabisi. E më pak në qarqet e tjera të vendit.
Sipas të dhënave të policisë, 246.357 janë bimë kanabisi dhe 41.713 fidanë.
Sasia më e madhe e bimëve u zbulua në muajin Korrik dhe Gusht. U asgjësuan deri në 70 mijë bimë.
Përveç 111 personave të arrestuar 63 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, 29 persona po hetohen me masë më të butë sigurie.
Gjatë operacioneve të policisë janë zbuluar raste kur kultivimi i drogës është favorizuar edhe nga zyrtarë lokalë, si kryepleq fshatrash apo drejtues të njësive administrative.
Që nga fillimi i vitit janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi 114 persona./abcnews.al