Mustafa Nano kishte ftuar në këtë puntatë të emisionit “Provokacija”, kryetarin e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, Arben Ramkaj. Teksa në një moment, gazetari po i tregonte një shqetësim të tij në lidhje me botën islame, teologu iu drejtua duke i thënë që problemin e ka me praktikantët dhe jo me fenë.
Mirëpo sipas Nanos, çdokush që lexon Kuranin dhe Biblën mund të ketë kundërshtimet e tij në lidhje me to, sikurse edhe mund të ndodhë që t’i pëlqejë. Ajo që nuk i pëlqen moderatorit të “Provokacijas” është fakti që një pjesë e caktuar e myslimanëve e pëlqejnë veten kur ushtrojnë të drejtën e fjalës, por kur dikush flet në dëm të myslimanëve kundërshtojnë dhe zemrëohen.
Mustafa Nano: E di ça më shqetëson mua nga bota islame?
Arben Ramkaj: Ti mos thuaj që ke problem me islamin, po thuaj kam problem me besimtarët myslimanë. Me islamin dhe krishterimin s’ka asnjeri problem. E kam dëgjuar shpesh dhe po ta them këtë në mënyrë shqip se nuk ke gjë me religjionin, ti ke punë me praktikantët.
Mustafa Nano: Nuk kam ndërmend të shpjegoj objeksionet lidhur me Biblën dhe Kuranin, por ato janë ca libra të caktuar. Njeriu i lexon dhe mund të ketë objeksione. Bën vaki që të pëlqejnë shumë si libra, bën vaki edhe që nuk të pëlqejnë fare.
Arben Ramkaj: Është përzgjedhje kjo. Edhe librat e shenjtë këtë kanë. Thelbi i zgjedhjes ka lindur me njeriun.
Mustafa Nano: Po thoja që ajo që nuk më pëlqen dhe e shoh në mënyrë kritike ka të bëjë me një qasje të caktuar të myslimanëve të cilët e pëlqejnë shumë lirinë e fjalës, lirinë e protestës. E pëlqejnë shumë kur e ushtrojnë vetë, bën vaki edhe në dëm të të tjerëve. Por kur dikush tjetër e ushtron këtë në dëm të myslimanëve, këtu pastaj vijmë në një lloj kundërshtimi dhe zemërimi./abcnews.al

