Media greke “Protothema”, ka zbuluar foton dhe skenarin se si u kap gomonia e dytë, e cila ishte nisur nga Shqipëria për në Turqi.
“Të dielën peshkatarët e zonës kanë parë një gomone me dy motor 350 kuaj fuqi secili dhe pranë tij një person që notonte në tentativë për të dalë në breg. Menjëherë peshkatarët kanë njoftuar policinë e cila mbërriti në vendngjarje dhe shoqëroi personin, që rezultoi shtetas shqiptar”, shkruajnë mediat greke.
Gjatë marrjes në pyetje shqiptari nuk ka pranuar të flasë, por hetuesit kanë kuptuar se bëhej fjalë për gomonen e dytë që i iku ndjekjes policore katër ditë më parë.
Nga hetimi arritën në përfundimin se droga mund të ishte fshehur diku në afërsi të Sporadhes.
Policia bregdetare greke ka sekuestruar më shumë se një ton drogë, në afërsi të ishullit Alonisos, në detin Egje.
Droga, e paketuar në 103 kuti të mëdha, ishte fshehur në një shpellë, në një ujdhesë shkëmbore dhe për gjetjen e saj u përdorën qentë e zbulimit si dhe polumbarë.
Ajo që po hetohet ende, është fakti nëse kjo sasi është sasia e plotë që do të shkëmbehej me heroinë në Turqi apo vetëm një pjesë e sasisë./abcnews.al