Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur pasditen e së shtunës kolegjin e kryetarëve. Sipas asaj që raportoi gazetari Juxhin Mustafaraj nga selia blu ky takim me kryetarët e degëve në rrethe është me karakter organizativ në funksion të arritjes së qëllimit për zgjedhjet e parakohshme.
“Pritet të jetë një takim me karakter organizativ. Kujtojmë se përgjatë verës PD nisi një riorganizim të brendshëm të saj në lidhje me të gjitha strukturat në funksion të përgatitjes për zgjedhjet e parakohshme. Edhe takimi i ditës së sotme pritet të jetë në funksion të këtij angazhimi. Kryetari i PD-së i ka kërkuar kryetarëve të degëve për t’i sqaruar mbi strategjinë politike që PD do të ndjekë në javët e ardhshme në funksion të arritjes së qëllimit për zgjedhjet e parakohshme”, raportoi gazetari i ABC News.
Gjithashtu Basha ka paralajmëruar ditën e nesërme takime me ish-përfaqësuesit e grupit parlamentar dhe kryesinë e PD-së. Në këto mbledhje pritet të diskutohet edhe mbi disa propozime që opozita e bashkuar ka bërë mbi reformën zgjedhore, por edhe mbi çështje të tjera në funksion të aksionit opozitar./abcnews.al