Draft-opinioni i “Venecias”: Presidenti shkeli Kushtetutën për anulimin e 30 qershorit

schedule22:58 - 27 Shtator, 2019

schedule 22:58 - 27 Shtator, 2019

Komisioni i Venecias ka arritur në përfundimin se Presidenti i Republikës Ilir Meta ka tejkaluar kompetencat që i jep kushtetuta duke anuluar dhe më pas duke shtyrë datën e zgjedhjeve vendore. Por për shkarkimin e tij i takon Kuvendit të vendosë dhe më pas Gjykatës Kushtetuese. Një draft i Opinionit të Venecias lidhur me ligjshmërinë e anulimit të 30 qershorit ka mbërritur në Tiranë, e burimet thonë se ai ndodhet si zyrat e Kuvendit ashtu edhe në ato të Presidencës.

Në konkluzionet e raportit të misionit faktmbledhës të Komisionit te Venecias thuhet qartë se Presidenti i Shqipërisë ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve vendore  të 30 Qershorit.

“Komisioni i Venecias ka arritur në përfundimin se në mungesë të një dispozite statutore për çështjen, Presidenti mund t’i anulojë zgjedhjet për qeverisjen lokale vetëm në një situatë që kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme. Edhe atëherë, presidentit i duhet një bazë specifike ligjore e përkohshme, për të shtyrë procesin elektoral”.

Por raporti verën se në Shqipëri nuk kishte një situatë të tillë para zgjedhjeve të 30 qershorit. Gjithashtu, nuk kishte as një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një bazë ligjore “ad hoc”.

Anulimi i zgjedhjeve, sipas opinionit të shprehur nga Komisioni i Venecias, prek ndërkohë të drejtat elektorale të shtetasve, një ndër të drejtat themelore të njerëzve të garantuara nga Kushtetuta.

Por raporti nuk justifikon as tezën e Kreut të Shtetit se i shtyu zgjedhjet e 30 qershorit për t’i dhënë mundësinë opozitës të merrte pjesë në to, pasi vendi nuk mund të zhvillonte zgjedhje monopartiake.

“Bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta. Ndryshe, këto parti do të mund të marrin kurajë për të penguar çdo zgjedhje. Rrjedhimisht, Presidenti ka tejkaluar kompetencat e dhëna me Kushtetutë, së pari duke anuluar dhe më pas duke shtyrë zgjedhjet lokale”.

Ndonëse e gjen në shkelje të Kushteteutës kreun e shtetit, Venecia shprehet se i takon Parlamentit dhe në fund Gjykatës Kushtetuese të caktojë nëse këto shkelje janë “shkelje serioze”, që do të lejonin një vënie në dyshim të rolit të Presidentit. Megjithatë Komisioni i Venecias e jep hapur opinionin e tij.

“Një sërë faktorësh tregojnë se këtu nuk kemi të bëjmë domosdoshmërisht me prova të një shkeljeje serioze. Këtu kemi të bëjmë kryesisht me: thirrjet e presidentit për dialog; pritshmëritë se shtyrja e zgjedhjeve do të kontribuonte në kërkimin e një kompromisi mes palëve; mungesën e një ligji që rregullon kompetencat e presidentit; mungesën e një sfide direkte të një dekreti të Presidentit përpara gjykatës; statusin kushtetues të zgjedhjeve lokale si të ishin parlamentare”.

Dhe përfundimi që i jepet Kuvendit të Shqipërisë, i cili kërkoi asistencë nga Venecia për interpretimin e kësaj çështjeje është ky:

“Marrë së bashku, të gjithë këta elementë udhëheqin në përfundimin se, presidenti i tejkaloi kompetencat kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit elektoral të autoriteteve lokale pa një bazë specifike ligjore. Sidoqoftë, elementët e cituar më sipër mund të çojnë në përfundimin se këto akte mund të mos kenë qenë të një natyre serioze, aq sa për të mandatuar gjykimin e presidentit”.

Raporti i plotë përfundimtar miratohet në sesionin e 13 tetorit nga Komisioni i Venecias, ku vetë Ilir Meta ka thënë se do të marrë pjesë.

Komisioni i Venecias dërgoi këtë muaj në Tiranë një mision faktmbledhës që u takua me vetë Kreun e Shtetit, kreun e Parlamentit, Kryeministrin, grupet parlamentare, përfaqësues të opozitës jashtë Kuvendit si dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Opinioni i Venecias në lidhje me shkeljen apo jo të Kushtetutes nga Presidenti Meta që anuloi 30 qershorin si datë të zgjedhjeve vendore, u kërkua nga komisioni ad hoc parlamentar i ngritur me kërkesë te maxhorancës për këtë qëllim. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!