Gerard Pique nuk shqetësohet për nisjen e dobët të kampionatit. Pas fitores me Villareal ai ka treguar se pse Barcelona nuk është në formën e duhur për momentin. Sipas tij, udhëtimet e shumta në verë e penalizojnë skuadrën e tyre. Mungesa e stërvitjes sjell edhe dëmtime, sikurse ndodhi me Messin një ditë më parë.
“Periudhë e fazës përgatitore nuk na ka ndihmuar fare për ta nisur mirë kampionatin, kemi pasur shumë udhëtime dhe pak stërvitje. Shumë prej nesh e vënë re dhe ne ende nuk kemi ritëm, jo vetëm Messi. Gjithsesi duhet të vazhdojmë të fitojmë, jemi të detyruar. Shikoni çfarë ndodh me Messin. Nuk ka justifikime, në ekip ka njerëz të kualifikuar për ta zëvendësuar atë dhe për të vazhduar më tej, megjithëse shpresojmë që ai të jetë sa më pak jashtë fushave të blerta”, është shprehure qendërmbrojtësi.
Më tej ai flet edhe në lidhje me titullin kampion: “Eksperienca e këtyre 11 viteve më thotë që gjërat do të shkojnë mirë. Ne garojmë gjithmonë deri në ndeshjen e fundit. Në 11 vite kemi fituar 8 herë kampionatin, dy herë e kemi humbur në javën e fundit. Pra unë mendoj se do të bëjmë mirë. Është vërtetë që nuk e kemi nisur si duhet, por kemi kaluar gjëra edhe më të ndërlikuara. Jemi të stërvitur për t’u kthyer”.
VËRSHËLLIMAT – “Fillimi i dobët i kampionatit dhe eliminimi nga Champions League prej Liverpool formojnë atë koktejin e përsosur për të bërë zhurmë. Tani njerëzit fishkëllejnë Suarezin. Tifozët mund të shprehen ashtu siç e shohin të arsyeshme, por duhet të marrin parasysh se ne nuk jemi makina, se kemi gjëra personale që na prekin dhe që njerëzit nuk e dinë. Por ata duhet ta dinë se përpjekjet dhe dëshira jonë vazhdon të jetë e njëjta”, shprehet spanjolli.
VALVERDE – “Pak trajnerë kanë fituar dy tituj dhe një Kupë në dy sezonet e para. Është penalizuar shumë nga eliminimet në Champions League, por është thënë se faji ka qenë i yni. Ai ka shumë përvojë dhe nuk mendoj se shqetësohet për diçka të tillë. Ne, lojtarët me eksperiencë, do ta ndihmojmë. Të shtunën kemi një ndeshje të rëndësishme në Getafe dhe them se është koha të fitojmë në transfertë’, përfundon Pique. /abcnews.al