Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga atentati në Gjirokastër te plani për vrasje në Lezhë/ Gazetarja zbardh detajet për dy ngjarjet kriminale: Po hetohen dy pista

schedule14:00 - 12 Tetor, 2026

schedule 14:00 - 12 Tetor, 2026

TIRANË- Familjarët e Beqir Devollit, që u vra mbrëmjen e së shtunës në një atentat me tritol në Gjirokastër, kanë thënë në polici se ai nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim dhe nuk i ruhej asnjë kërcënimi.  Edhe 26-vjeçari i plagosur në ngjarje, është shprehur se është takuar me viktimën në afërsi të vendit ku ndodhi shpërthimi, dhe nuk ka asnjë ide për autorët.

Gazetarja dhe autorja e emisionit “Gjërat Tona” në ABC News, Etleva Delia, ka dhënë detaje të tjera në lidhje me pistat e hetimit të kësaj ngjarjeje kriminale.

Ajo theksoi se bomba e telekomanduar është vendosur në sediljen e shoferit dhe kjo dëshmon se shënjestër e sulmit ka qenë Devolli, i cili humbi jetën rrugës teksa po transportohej drejt Spitalit të Traumës.



Sipas saj, pista kryesore ku është përqendruar grupi hetimor janë trafiku i drogës dhe ngjarje të vjetra që kanë ndodhur në Gjirokastër dhe jo vetëm.

“Makina ka shpërthyer në ecje. Ka shpërthyer para gjykatës dhe në ecje është ndaluar para policisë. Montimi i bombës me telekomandë ka qenë poshtë sedijes së tij, që dyshohet se ka qenë  edhe shënjestra.

Familjarët e tij janë shprehur se nuk kishte konflikt. Ai ka pasur aktivitete në Greqi, ku ka dyshime se është përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Nuk përjashtohen ngjarjet e vjetra që kanë ndodhur në Gjirokastër me një grupi tjetër, i cili në fakt është shpërbërë. Emra korrektë nuk është se ka, por ka dyshime për prishjen e pazareve të drogës dhe konflikteve të tjera, të cilat po analizohen nga grupi hetimor”, tha ajo.

Ajo theksoi se ngjarje të tilla kanë shumë pak gjasa të zbardhjen pasi shpërthimet me eksploziv nuk lënë gjurmë biologjike apo papilare, megjithatë shpresat tha ajo mbeten te kamerat e sigurisë nëse kanë fiksuar autorin e krimit.

“Është ngjarje e vështirë, siç janë të vështira atentatet me eksploziv, sepse nuk lë prova në vendin e ngjarjes, qoftë materiale biologjike apo me gjurmë të tjera papilare, por mund të vijnë në ndihmë kamerat e sigurisë”, tha ajo.

Ndërkohë, Gjykata e Lezhës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Vinçesk Piroli, 38 vjeç, Kristian Ymeri, 34 vjeç, dhe Elden Tarja, 25 vjeç, të ndaluar tre ditë më parë nën dyshimin se po përgatitnin një atentat në Lezhë. Për këtë ngjarje, gazetarja theksoi se ky grup po verifikohet edhe për ngjarje të tjera kriminale, të kryera në Sarandë, Lezhë dhe Mirditë.

“Parandalimi i ngjarjeve kriminale është ngjarje e mirë. Grupi i arrestuar në Lezhë, po verifikohen për disa ngjarje të tjera, jo vetëm për atë që po planifikonin atë ditë. Ata po verifikohen për ngjarje kriminale në Lezhë, Sarandë, por edhe për Mirditën. Deri tani janë në fazën e verifikimeve. Disa muaj më parë u parandaluar një tjetër ngjarje kriminale nga Policia e Shkodrës. Është pothuajse e njëjta dinamikë.”, tha gazetarja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!