Mëngjesin e së enjtes, Edi Rama do të niset drejt Shkupit. Është stacioni i tij i parë, i 5 takimeve që do të kryejë brenda dy ditësh, për të vizituar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.
Pas takimit me homologun e Maqedonisë së Veriut, Rama do të shkojë në Prishtinë, ku pritet të ketë një takim me Albin Kurtin. Takim i cili i gjen dy kryeministrat e shqiptarëve në pikën më kritike të marrëdhënies shtetërore, me Ramën që u rreshtua përkrah Perëndimit duke i kërkuar të bënte hapa pas e të krijonte asosacionin e komunave me shumicë serbe në veri.
Madje kulmi u arrit kur Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, programuar për tu mbajtur në Gjakovë.
Por e premtja do të testojë edhe stinën e re të marrëdhënieve të Ramës me presidentin Vucic. Mbajtja e 3 policëve të Kosovës për 13 ditë në Serbi, ngriu marrëdhëniet mes dy liderëve, e tani është e paqartë nëse akujt mund të shkrihen.
Rama viziton edhe Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën, për të folë edhe me kryeministrat atje mbi rëndësinë e stabilitetit në rajon, vënë në rrezik nga tensionet e fundit mes Serbisë e Kosovës.
Ky tur do të jetë një mundësi që Edi Rama të bisedojë me të 5 liderët se nisma Open Ballkan e plotësoi misionin e saj edhe pse Kosova e Bosnja nuk e përqafuan kurrë.
Tashmë të 6-ta vendet do të vijojnë përpjekjet në të vetmen ombrellë që i bën të gjithë bashkë: Bashkimin Evropian përmes Procesit të Berlinit, e cila takimin e radhës do ta ketë ketë vjeshtë në Tiranë./abcnews.al