Paris Saint Germain pret Realin e Madridit sonte në mbrëmje në duelin e parë të fazës së grupeve në Champions League. Për francezët do të mungojë Neymar dhe Mbappe ndërsa në radhët e spanjollëve kapiteni Ramos.
Paris Saint Germain sfidon Realin e Madridit sonte në mbrëmje në një duel madhështor. Në tapetin e “Parc De Princes” do të zbresin yjet më të mëdhenj të globit nga të dyja kampet.
Francezët dhe spanjollët janë favoritë kryesorë për të kaluar në turin tjetër dhe synimi kryesor mbetet vendi i parë për të shmangur duelet e forta në fazën me eliminim direkt.
Në kampin e madrilenëve do të mungojë kapiteni Sergio Ramos për shkak kartonash. Mungesë e madhe edhe në kampin e francezëve pasi Neymar është i detyruar të qëndrojë në tribunë për ndeshjen ndaj Realit ndërkohë që Mbappe vijon të mbetet jashtë për shkak dëmtimi. Trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane, i cili fitoi tre Champions radhazi me spanjollët është i entuziazmuar për duelin e parë sezonal në Ligën e Kampionëve dhe beson tek një rezultat pozitiv.
“Jemi të lumtur të luajmë në këtë kompeticion. Kemi përballe një kundërshtar shumë të fortë që përbehet nga yje të shumtë. PSG është një skuadër e madhe dhe do të jetë shumë e vështirë. Skuadra është në formë shumë të mirë. E kemi nisur mirë sezonin dhe besojmë tek një paraqitje dinjitoze ndaj PSG”.
Real Madrid pritet të luajë me skemën 4-3-3. Në portë Navas. Në mbrojtje Varane, Militao, Mendi dhe Karvahal. Në mesin e fushës Hames, Kros dhe Kasemiro ndërkohë që Bale, Hazard dhe Benzema do të formojnë tredhëmbëshin e sulmit.
Me të njëjtën skemë pritet të luajë edhe skuadra e Paris Saint Germain. Trajneri i kampionëve në fuqi të Francës Tuhel kërkon përqëndrim maksimal në duelin ndaj spanjollëve, por nuk i trembet aspak skuadrës së teknikut Zidane./ABC News Albania 24/7