Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ishte e ftuar këtë të martë në emisionin “Provokacija”. Ajo komentoi marrëdhëniet mes partisë ku ajo bën pjesë, LSI-së dhe Partisë Demokratike. Sipas Gjoshës, dy partitë i bashkojnë kazuat me të cilat përballet vendi pavarësisht se kanë ndasitë e tyre programore dhe ideologjike.
“Nuk shoh shkëputje të them të drejtën. Ne na bashkojnë kauzat e sotme. E gjithë rruga ku jemi bashkë, prioritetet me të cilat duhet të përballet vendi janë pjesë e kauzave të PD-së dhe LSI-së. Kemi ndasitë tona programore edhe ideologjike. Megjithatë jemi të bindur se sëbashku mund t’ia dalim që me zgjedhje të lira dhe të ndershme opozita të kthehet në mazhorancën e nesërme”, tha Gjosha.
Për ish-ministren zgjidhja e krizës aktuale janë zgjedhjet. Gjithashtu sipas saj, opozita nuk pengon proceset integruese të vendit, pasi është përgjegjësi e qeverisë së vendit.
Për sa i përket vendimit që pritet të merret me 18 Tetor për çeljen ose jo të negociatave, Klajda Gjosha tha se pret një “Po, por” nga vendet anëtare duke nënkuptuar çelje të negociatave me kushte./abcnews.al