I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e ka garantuar se do të përdorë ndikimin e tij që serbët në veri të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.
Gjatë një konference për mediat në Beograd, Escobar u shpreh se situata në Kosovë duhet të shtensionohet menjëherë, shkruan N1.
“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth këtyre ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen. Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë pa parakushte”, shtoi ai.
Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij, do t’ia kthenin shpinën Evropës”.
“Kjo, në vetvete, është një pasojë shumë e rëndë”, theksoi Escobar./abcnews.al