“Hyrja e kryetarëve ishte hap i tepërt”, Rama për BBC: Qasja e Kurtit ndaj Perëndimit, e gabuar

schedule10:56 - 3 Qershor, 2023

schedule 10:56 - 3 Qershor, 2023

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për BBC, theksoi se tensionet në veri të Kosovës u provokuan fillimisht nga serbët dhe më pas nga autoritetet kosovare. Sipas kreut të qeverisë, zhvillimi i zgjedhjeve ishte një gjë e mirë por e konsideroi një hap të tepruar hyrjen me polici të kryetarëve në komuna.

“Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, po nuk do ta vija shumë theksin te rreziku. Le të themi se kjo situatë është provokuar së pari nga serbët, të cilët braktisën institucionet, duke krijuar praktikisht një vakum dhe, së dyti, nga autoritetet e Kosovës, që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh, ku shumica e popullsisë është kryesisht serbe. Sa për ta sqaruar, zhvillimi i zgjedhjeve ishte gjë shumë e mirë, për të treguar se askush nuk mund të marrë peng procesin demokratik në Republikën e pavarur të Kosovës, por nuk ishte ide e mirë që, më pas, të këmbëngulej që këta katër kryetarë të hynin në ndërtesat bosh nën mbrojtjen e policisë, që solli ndërhyrjen e KFOR-it dhe plagosjen e padrejtë të ushtarëve të KFOR-t”, tha Rama.

I pyetur nëse po e drejton fajin drejt Kurtit, Rama theksoi:

“Nuk jam këtu për të fajësuar, po përpiqem thjesht t’i përgjigjem pyetjes suaj, ndërkohë që mendoj se tabloja e gjerë është shumë më optimiste, pasi Serbia dhe Kosova, falë Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike. Besoj po ashtu se fakti që marrëveshja është kaq pranë, mbështetur në të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, me rezultat përfundimtar njohjen e ndërsjellë, i ka dëshpëruar njëfarësoj të dy. Është njësoj si një çift në dyert e kishës përpara se të martohen, që i vijnë dyshime, por mendoj se do të jetë …”, shtoi ai.

Rama përsëriti rëndësinë për të vijuar me dialogun dhe marrëveshjen, si rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve.

“Mendoj se nuk ka asnjë shans në botë, siç do thoshte dikush… apo siç do thoshte ndonjëherë Shtëpia e Bardhë, që kjo marrëveshje të mos bëhet. Pyetja e vetme është “kur”. Dje ishim të gjithë udhëheqësit në Komunitetin Politik Europian në Moldavi, dhe të gjithë kishin bindje të patundur, sidomos Presidenti francez dhe Kancelari gjerman, se të dyja palët dhe Aleksandar Vuçiçi dhe Albin Kurti duhet të ulen njëherë e mirë dhe të arrijnë marrëveshjen dhe ta zbatojnë atë.“, theksoi kryeministri.

Ndërkaq, kreu i qeverisë komentoi edhe deklaratat e Kurtit se Perëndimi po mban anën e Serbisë. Sipas Ramës, Kurti po tregon një qasje të gabuar pasi siç shtoi ai, qëllimi i Perëndimit është që ta çojë Kosovën në një tjetër nivel, që të njihet ndërkombëtarisht.

“Më vjen keq ta them, por kam saktësisht të njëjtin mendim dhe jo për shkak të ndonjë pozite servilizmi, por sepse kam bindjen se ShBA-ja dhe BE-ja kanë tërësisht të drejtë dhe Albini e ka gabim këtu, sepse nuk po përpiqen ta mbajnë Serbinë me të mirë, po përpiqen që më në fund ta çojnë Kosovën në një tjetër nivel, që do të thotë, në një shtet që njihet nga të gjithë, një shtet që mund të zërë një vend në Kombet e Bashkuara dhe në shumë institucione të tjera, ku mungon.”, tha Rama.

Duke u ndalur tek sulmi i serbëve ndaj ushtarëve të KFOR-it, Rama u shpreh se Seria ka qenë një rrezik për Kosovën dhe se tani është koha për paqe. Rama shtoi se Serbia duhet të kuptojë se Kosova është shtet i pavarur ndërsa nga ana tjetër, kjo e fundit të nisë me asociacionin.

“Dëgjoni, po, është e vërtetë dhe nuk ka sesi të mohohet, por, nga ana tjetër, është po ashtu e vërtetë që dërgimi i këtyre kryetarëve të komunave kundër këshillës së mirë të gjithkujt – dhe kur them gjithkujt, e kam fjalën për miqtë dhe partnerët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte ajo që është sot – ishte një hap më i tepërt seç duhej. Thënë kjo, mendoj se Serbia ka reshtur së qeni rrezik për Kosovën që prej vitit 1999, e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën që në vitin 1999 dhe tani është koha për paqe. Është koha për normalizim. Është koha për t’u ulur. Është koha për të pranuar dhe për t’i dhënë Serbisë atë që ka qenë më parë në marrëveshje, që do të thotë, asociacionin e komunave me popullsi serbe dhe të drejtën e kishës ortodokse serbe që të ketë aktivitetin e saj brenda Kosovës dhe, nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë dhe të kuptojë që Kosova ka ikur dhe të pranojë njohjen e ndërsjellë.“, përfundoi Rama.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!