Ministri i Mbrojtjes së Indonezisë propozoi sot një plan paqeje për Ukrainën që kërkon krijimin e një zone të çmilitarizuar dhe një referendum në ato që ai i quajti zona të diskutueshme.
Prabowo Subianto u kërkoi ministrave të mbrojtjes dhe zyrtarëve ushtarakë nga e gjithë bota që janë mbledhur në Singapor për konferencën e sigurisë të njohur si Dialogu Shangri-La të miratojnë një rezolutë që bën thirrje për t’i dhënë fund armiqësive në Ukrainë.
Ai propozoi një plan paqeje me shumë aspekte që përfshin “zbatimin e një armëpushimi në pozicionet e mbajtura aktualisht nga palët ndërluftuese” dhe krijimin e një zone të demilitarizuar pasi të dy palët të tërhiqen 15 kilometra nga pozicionet e tyre aktuale.
Zona e çmilitarizuar duhet të monitorohet dhe kontrollohet nga një forcë paqeruajtëse e OKB-së, vuri në dukje ai, ndërsa shtoi se duhet mbajtur një referendum për të “përcaktuar në mënyrë objektive dëshirat e shumicës së banorëve të zonave të disktuueshme”.
Prabowo sugjeroi gjithashtu që Dialogu Shangri-La të përfundojë me një deklaratë duke u bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të fillojnë menjëherë negociatat e paqes.
Propozimi i Indonezisë vjen pas vizitës së presidentit të vendit Joko Ëidodo vitin e kaluar në Moskë dhe Kiev, pas së cilës ai ofroi të luante rolin e ndërmjetësit midis liderëve të Ukrainës dhe Rusisë.
Duke folur në të njëjtin panel, përfaqësuesi i lartë i BE-së për diplomacinë, Josep Borrell , vuri në dukje se nëse mbështetja ushtarake për Ukrainën do të ndalej, lufta do të përfundonte shpejt, por me integritetin e saj territorial të komprometuar.
“Ne nuk mund të ndalojmë së mbështeturi ushtarakisht Ukrainën,” theksoi Borrell.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka propozuar një plan paqeje prej 10 pikash, i cili kërkon tërheqjen e të gjitha forcave ruse nga Ukraina.
Këshilltari kryesor diplomatik i Ukrainës, Ihor Zofkfa, vuri në dukje se Kievi nuk është i interesuar për një armëpushim që do të ruante fitimet territoriale të Rusisë.
/abcnews.al