Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se tensionet në veri të vendit janë rezultat i kontrollimit territorial të Serbisë në këtë pjesë të Kosovës e jo e udhëheqjes politike të këtyre komunave.
Hoxhaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Izrael, nga ku ka treguar se ka mbajtur edhe një ligjeratë në Universitetin Reichman në Tel Aviv, ka thënë po ashtu se politika e Serbisë ndaj Kosovës nuk ka të bëjë me njerëzit, por me territorin.
“Politika e Serbisë ndaj Kosovës nuk ka të bëjë me njerëzit, me komunitetin serb dhe jetën e tyre, por me territorin! Prandaj, tensionet e fundit nuk kan të bëjnë me atë se kush politikisht udhëheq komunat, por kush kontrollon territorialisht ato! Kjo është politikë hegjemoniste, e cila ka humbë në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës, dhe në 2008-ën, me pavarësinë”, ka shkruar Hoxhaj, të ketë thënë në universitetin izraelit.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, ka treguar se ka thënë se “BE-ja ka nxjerr një mësim nga Ukraina se në çfarë bote jetojmë ne kur fqinj i madh kërcënon apo sulmon, por jo në Ballkan, ku Serbia ndërhynë dhe destabilizon çdo shtet përreth saj në rajon. Mendoj se një mësim i tillë është me rendësi edhe në Lindjen e Mesme dhe globalisht.”
“BE-ja është duke vlerësuar Serbinë dhe Vuçiqin, duke pritur që ai mund të jetë një pro-evropian derisa ai ndjekë shembullin e Putinit drejt një autoritarizmi dhe kur Serbia i ngjanë më shumë Rusisë se BE-së. Zgjidhja e plotë e raporteve Kosovë-Serbi është vetëm përmes njohjes së ndërsjellë.”, ka shkruar Hoxhaj të ketë thënë në këtë universitet.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.
/KosovaPress/