Komisioni i Venecias ndodhet në Tiranë që prej ditës së djeshme pas kërkesës së Komisionit Hetimor për të dhënë opinionin e saj në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Mëngjesin e kësaj të marte, delegacioni i “Venecias” zhvilloi një takim me dy përfaqësues të opozitës joparlamentare, respektivisht Oerd Bylykbashin për PD-në dhe Klajda Gjoshan për LSI-në. Ish-deputetët patën një prononcim të shkurtër për mediat në përfundim të takimit.
Ata thanë se kanë sqaruar pozicionin e tyre, që sicc e quajtën ata për tentativën në lidhje me shkarkimin e Presidentit. Gjithashtu, Bylykbashi dhe Gjosha i kanë thënë komisionerëve të “Venecias” që Presidenti nuk e shkeli ligjin dhe se ai mund të shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
“Komisioni i Venecias ka ardhur këtu me ftesë të Kuvendit për të dhënë një opinion në lidhje me procedurën e turpshme për shkarkimin e Presidentit të Republikës që Parlamenti ka nisur. Ne ua bëmë të qartë se kjo është një përpjekje e qeverisë që, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, në themelet e një krize kaq të madhe, Parlamenti përpiqet që të tërheqë Komisionin e Venecias dhe Këshillit të Europës në lojën e tij të turpshme për të kapur të gjitha pushtetet, përfshirë Presidentin e Republikës. Kushtetuta është e qartë. Presidenti i Republikës shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, nëse ka shkelur rëndë Kushtetutën. Presidenti i Republikës është përpjekur të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, unitetin e popullit dhe pluralizmin politik në Shqipëri dhe kjo është një nga detyrat fisnike që ka luajtur në këtë rast Presidenti i Republikës. Presidenti i Republikës u dha garancinë zgjedhësve shqiptarë që zgjedhjet të bëheshin në një moment të dytë, në kushte më të mira. Parlamenti përpiqet që të shkarkojë Presidentin dhe në këtë lojë të turpshme përpiqet të bëjë palë institucionet ndërkombëtare, të cilat janë shumë të qarta në lidhje me këtë”, tha Bylykbashi.
“Sot diskutuam për një çështje që është e paprecedentë, aq më tepër për një vend që kërkon të çelë negociatat, për një vend që dëshiron të jetë anëtar i BE-së dhe në momentet kyçe, kur të gjitha palët sidomos qeveria do duhej të përqendrohej në plotësimin e kushteve për të marrë çeljen e negociatave në tetor ne merremi me një çështje që është jashtëzakonisht e rëndë edhe për imazhin e vendit. Aq më tepër të ftosh institucionet ndërkombëtare për të zgjidhur një çështje që në fakt për mua është për të mbuluar gjithçka që sot shkon keq me qeverisjen shqiptare”, tha Gjosha.
Ndërkohë, delegacioni është duke zhvilluar një takim në këto momente me një grup deputetësh të Partisë Socialiste. Më vonë ata do të takohen me deputetët e opozitës parlamentare. Gjithashtu një takim është planifikuar me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Pas tij, komisionerët do të takohen me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, i cili po hetohen nga komisioni parlamentar nëse ka shkelur ligjin apo jo me shfuqizimin e dekretit të 30 Qershorit.
Pas drekës, do të jetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj që do të presë delegacioni, ndërsa më vonë ata do të shkojnë në kryeministri për t’u takuar me kryetarin e qeverisë, Edi Rama.
Gjatë së martës është rezervuar gjithashtu takim edhe me anëtarët e KQZ-së si edhe me anëtaren e vetme të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Delegacioni i Komisionit të Venecias do ta përfundojë punën e saj nesër pas takimit me anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe shoqërisë civile.
Në Tetor pritet përgjigja e Komisionit Hetimor nëse Meta e shkeli ose jo Kushtetutën kur firmosi anulimin e datës së zgjedhjeve në 30 Qershor./abcnews.al