TIRANË– Analisti Mentor Nazarko e konsideron “shqetësues” faktin që katër krerët e rinj të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk pranojnë të takohen me ambasadorin e SHBA, Jeffrey Hovenier.
Ai thotë se po tentohet të krijohet një frymë anti-perendimore sikur perëndimi dhe SHBA po mbajnë anën e Serbisë, por kjo linjë tha Nazarko nuk është e vërtetë. Nazarko kujtoi se Kosova u bë shtet nga perëndimi dhe SHBA, në kushtet kur mund të rrezikohej seriozisht dhe fillimi i Luftës së Tretë Botërore.
“Fakti që kryetarët e zgjedhur që mos të takohem me ambasadorin amerikan dhe kjo është shqetësuese, një nga pasojat më të rënda, jo thjesht në pikëpamje të veprimet diplomatike. Është krijimi I një frymë anti-perëndimore me atë që janë njerëzit më me ndikim në Kosovë dhe prej tyre në gjithë opinionin publik të Kosovës. Po të shohësh komentet e tyre, shikon se shumica e tyre vendosin në dyshim sjellje e perëndimit, Amerikës, ndaj Kosovës, duke e konsideruar atë se është një sjelle se po favorizon Serbinë. Kjo është gjëja më irracionale që është duke ndodh sot në Kosovë. Të krijohet frymë anti-perëndimore në Kosovë, në një shtet që është krijuar nga perëndimi , nga SHBA duke rrezikuar luftën e tretë botërore, është nga ato marritë kolektive të popujve, që s’do duhet ta kishin imagjinuar, por në fakt është duke ndodhur.”, tha ai.
Gjatë intervistës në ABC News, Nazarko u shpreh se Kosova do duhet të koordinojë veprimet e veta me SHBA dhe perëndimin. Sipas tij, Kosova nuk është në kushtet kur mund të provokojë konflikte të tilla.
“Kosova do duhet të koordinojë veprimet e veta me perëndimin, me SHBA. Kosova nuk mund të provokojë një konflikt, në të cilin vendosë vetë dhe pastaj konfliktin ta zgjidhë perëndimi”, theksoi Nazarko.
Ai shtoi se “përplasja” në veri po merr karakter ndërkombëtar, pasi në terren janë KFOR dhe EULEX.
“Nëse ditët para kishim vendosje të Policisë së Kosovës nëpër zonë, tani kemi vendosjen e KFOR dhe EULEX , që do të thotë përplasja është duke marrë karakter ndërkombëtar”, theksoi ai.
Mes tjerash, Nazarko shprehet se Aleksandër Vuçiç po e shfrytëzon situatën e tensionuar në veri për llogari të brendshëm politike.
“Serbia ka hyrë në një situate konfliktuale për shkak se opozita kërkon zgjedhje të reja. Në një situatë si kjo, Vuçiç thërret për rrezikun e jashtëm dhe thotë: Kosova është në situatë të rëndë. Ai po e përdorë atë që po ndodhë në Kosovë, duke e paraqitur veten si shpëtimtari i vetëm i kombit serb në një situatë të rrezikshme”, shtoi ai./n.m.abcnews.al



