Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të shpallur në kërkim, të cilët ishin dënuar për vjedhje në Shqipëri dhe Itali. Në pranga ka rënë Genc Logu, 28 vjeç, banues në Tiranë.
28-vjeçari ishte dënuar me 4 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për “Vjedhje të kryer në bashkëpunim”, pasi në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë kanë vjedhur në zonën e “Don Boskos” dhe në rrugën “Artan Lenja” dy automjete.
Ndërkohë, një tjetër person në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e Policisë. Bëhet fjalë për një 42-vjeçar shqiptar, i dënuar nga drejtësia italiane me 8 vite burg për “Vjedhje me dhunë”.
Specialistët e Seksionit të Kërkimit në Policinë e Tiranës në bashkëpunim me Interpol Tirana, arrestuan në kryeqytet Ilmi Demirajn, 42 vjeç, lindur në Krujë dhe banues Tiranë.
Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Lucca Itali e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale “Vjedhje me dhunë”. Pas arrestimit, 42-vjeçari do të ekstradohet drejt Italisë./ABC News Albania 24/7