Opinioni i “Venecias” për shkarkimin e Metës, Bushka: Nuk mund të jetë determinant

schedule19:45 - 4 Shtator, 2019

schedule 19:45 - 4 Shtator, 2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të japë dëshminë e tij më 9 Shtator. Kjo është dita në të cilën, Komisioni Hetimor vendosi që kreu i shtetit të dalë në seancën dëgjimore pas kërkesës së deputetëve për shkarkimin e tij. Deputetja Klotilda Bushka tregoi në ABC News se çfarë pritet të ndodhë të hënën.

“Komisioni vepron për aq sa është e mundur sipas rregullave që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale. Një nga parimet e këtyre lloj procesesh kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të individëve në këto lloj procedimesh. Një nga këto të drejta ka  të bëjë me faktin të dëgjuarit, mundësisë të japë shpjegime. Është një detyrim i Kuvendit dhe Komisionit Hetimor ta ftojë dhe ta thërrasë presidentin të japë shpjegimet me këtë rast si dhe nëse ka nevojë Komisioni Hetimor tej shpjegimeve që do japë presidenti ka të drejtën të bëjë pyetje. Është detyrim për ta thirrur, është detyrim për Presidentin që nëse thirret të jetë i pranishëm”, tha Bushka gjatë një interviste me gazetaren Mirela Milori.

Por kjo datë përkon me atë të vizitës dy ditore që do të bëjë Komisioni i Venecias, të cilit i është kërkuar të japë një opinion në lidhje me të gjithë procedurën që është zhvilluar për këtë çështje. Deputetja, Klotilda Bushka tha se nuk është Komisioni i Venecias që do të marrë vendimin nëse do të shkarkohet apo Presidenti.

Sipas saj, roli i Komisionit të Venecias për këtë çështje është e një natyre tjetër, pasi i është kërkuar opinioni në kuadër të praktikave të tjera ndërkombëtare që do ndihmojë Komisionin Hetimor për të kuptuar dhe qartësuar çështjet e së drejtës.

“Opinioni i Komisionit të Venecias do të jetë i rëndësishëm për të përcaktuar standardet më të mira ndërkombëtare mbi shinat e të cilës ne do të donim të ecnim në këtë proces për të qenë korrekt dhe për të pasur një bazueshmëri të qëndrueshme edhe në praktika të mëparshme të vendeve të tjera. Nuk i kemi kërkuar Komisionit të Venecias nëse duhet apo jo ta shkarkojmë Presidentin. I kemi kërkuar një opinion mbi parime të së drejtës të cilat aplikohen në raste të ngjashme dhe sa i takon faktit të elementëve të caktuara përbëjnë apo jo cenim të të drejtave të njeriut apo të standardeve demokratike në një vend. Ka të bëjë me sqarime pasi Komisioni i Venecias ka të bëjë me rolin e ekspertizës për t’i ardhur në ndihmë vendeve ndërkombëtare që të enë një element të shtuar të sigurisë juridike. Nuk mund të përgjasojnë opinionet e Komisionit Hetimor me atë të Venecias. Kanë natyra të ndryshme. Komisioni i Venecias në kuadër të praktikave ndërkombëtare na ndihmon të kuptojmë dhe të qartësojmë çështje të së drejtës, por nuk mund të jetë determinant. Por është një ndihmë shumë e madhe që ky proces të jetë në shinat e standardeve”, tha Bushka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!