Sot me fillim nga ora 14:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të organizohet “Marshi për Liri” në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Platforma “Liria Ka Emër” ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së para aktgjykimit të Gjykatës Speciale me 16 shtator.
Eliza Hoxha ka prezantuar programin dhe folësit e Marshit.
“Në emër të platformës ‘Liria ka Emër’ do të flasim ne të dy së bashku, do ta hapim, në fakt, pjesën formale të Marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Do të flasë Liriona Sulejmani në emër të fëmijëve të dëshmorëve, si vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, duke sjellë zërin dhe mesazhin e një brezi që trashëgon kujtesën dhe sakrificën e luftës edhe në familje. Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit. Programi do të shoqërohet edhe me këngë, të cilat do të jenë pjesë e mesazhit të këtij tubimi, këngë patriotike, natyrisht, që na kanë frymëzuar dhe na kanë kujtuar gjithmonë për përkushtimin tonë për liri”, tha Hoxha.
Gjatë kësaj jave u organizua edhe aktiviteti “7 Zjarret në 7 Zonat Operative të UÇK-së”.

