“Pikënisja është akti i prezantimit”, Bislimi: Lajçaku e saktësoi deklaratën për Asociacionin

schedule07:43 - 16 Maj, 2023

schedule 07:43 - 16 Maj, 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme (e hënë) në Bruksel ku mori pjesë në takimet e zhvilluara në kuadër të procesit të dialogut.

Pas përfundimit të takimeve, i pyetur nga gazetarët, zëvendëskryeministri Bislimi tha se as nuk është dashur të priten sot rezultate. Sipas tij, është fillim i diskutimeve në mënyrë që palët të shohin se ku ndodhen me procesin dhe ku duan të shkojmë, porse nuk është pritur epilog për ndonjë nga proceset.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se draft statuti i prezantuar nga ish-ekipi menaxhues duhet të jetë pikënisje për bisedime për themelimin e Asociacionit, mirëpo Bislimi tha se diplomati sllovak e ka sqaruar këtë pjesë duke thënë se ka qenë gabim teknik.

Sipas tij, pikënisja është akti i prezantimit, ndërsa tha se pala serbe ka refuzuar që të diskutojë për çështje të tjera përpos Asociacionit sipas marrëveshjes së vitit 2015.

“Tek zbatimi i pikës 7, sot është precizuar nga z. Lajcak se ka qenë gabim teknik ajo që është shfaq në faqen e tij të Facebook-ut. Nuk trajtohet si pikënisje drafti, por prezantimi i draftit, akti i prezantimit shënon pikënisjen e diskutimeve për zbatimin e pikës 7, ashtu siç kemi thënë dhe ne disa herë në prononcimet tona publike. Pjesë të tjera janë pastaj ato kriteret për të cilat kemi folur që janë shumë me rëndësi. Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherini-t, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga z. Isa Mustafa në vitin 2015 dhe z. Petkovic edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga z. Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne Asociacionin’’, tha Bislimi.

Në lidhje deklaratat e Lajçakut se draft statuti duhet të jetë pikënisje për themelimin e Asociacionit pati reagime të shumta në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se pikënisja për statutin e Asociacionit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe jo propozime nga Serbia që kanë synim krijimin e një republike serbe në Kosovë.

Në një intervistë për “Atlantic Council” në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani, bëri thirrje që procesi i dialogut të mos bjerë në kurthin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilin e quajti edhe autokrat.

Edhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, që në fillim të këtij viti ligjvënësit e Parlamentit Evropian kërkuar nisjen e një hetimi ndaj tij nën dyshimet se po favorizon presidentin serb pro rus Aleksandër Vuçiq, deklaroi se drafti i ekipit menaxhues është pikënisje për diskutime të mëtejshme rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Reagim të ashpër pati edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që tha se pikënisja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës.

Ai theksoi se nëse Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja për Asociacionin duhet të jetë brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës, atëherë Kosova s’ka çka kërkon më në dialog. E nëse procesi i dialogut e ka si çmim shkatërrimin e themeleve të shtetit të Kosovës, sipas tij është më mirë të thuhet “mirupafshim nga ky proces”./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!