5 të plagosur nga sherri mes dy familjeve në Levan

schedule08:30 - 1 Shtator, 2019

schedule 08:30 - 1 Shtator, 2019

Zbardhen detaje të reja nga konflikti mes dy familjeve në Levan të Fierit, ku mbetën të plagosur fillimisht 4 persona dhe më pas një i pestë në Spitalin e Fierit. Policia bën të ditur se gjatë një konflikti mes dy familjeve janë dëmtuar me sende të forta dy shtetas Aldi  Zhapaj dhe Gentjan Zhapaj, të cilët ndodhen të shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën. Në konflikt janë lënduar me mjet prerës edhe dy persona të tjerë: Klajdi Lamaj dhe Erlind Mucaj, të cilët ndodhen në reanimacionin e Spitalit të Fierit. Pas sherrit në Levan, të plagosurit u transportuan për në Spital, për ndihmë mjekësore, ku vijoi edhe përshkallëzimi i konfliktit. Në Urgjencën e Spitalit, një prej shoqërueseve të të dëmtuarve i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë, i cili po ndihmonte për të futur të plagosurit në Urgjencë dhe ka plagosur me armë zjarri një prej familjarëve të palës tjetër, shtetasin Aleksandër Zhapaj. Edhe ky i fundit ndodhet i shtruar në Spitalin e Fierit jashtë rrezikut për jetën. Mbrëmjen e djeshme në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie, duke kanë bërë bllokimin e dy shtetasve me iniciale E.B. e D.B. dhe shoqërimin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë për veprime të mëtejshme.

FNSH dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen edhe të një shtetasi tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.

Ndërkohë, për hetimin e kësaj ngjarje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.

Ndjekim nje pjese te prononcimit te drejtorit te Policise së Fierit, Andon Marko, i cili ishte i pranishëm mbrëmë në Spitalin e Fierit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!