Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi se nga data 12 prill, e cila përkon me fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit dhe deri sot, që është dita e fundit, janë evidentuar 54 raste të krimeve zgjedhore.
Në një konferencë për mediat, Rrumbullaku u shpreh se janë nën hetim, 88 persona.
Rrumbullaku nënvizoi se në kuadër të masave të ndërmarra gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 5081 punonjës policie, për mbarëvajtjen e 1471 aktiviteteve elektorale.
“Gjatë periudhës zgjedhore, strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë vlerësuar dhe analizuar, çdo indicie, çdo informacion, kallëzim apo deklarim të çdo qytetari, përfaqësues të subjekteve zgjedhore apo kandidatëve, me qëllim, sqarimin e rrethanave, sigurimin e provave dhe vendosjene autorëve para drejtësisë. Nga të dhënat statistikore rezulton se, nga 14 prill deri më 12 maj, janë evidentuar gjithsej 54 raste raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, ku janë proceduar penalisht, gjithsej, 88 shtetas.
Të ndara sipas veprave penale; Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 25 raste me 45 autorë, përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, 1 rast me 1 autor, korrupsioni pasiv në zgjedhje, 20 raste me 25 autorë; kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 2 raste me 3 autorë; pengimi i zgjedhësit, 3 raste me 7 autorë; shkelja e të drejtës së zgjedhjes, 3 raste me 7 autorë”, theksoi ai./abcnews.al