“Bardhezinjtë” e Juventus nuk shkuan më shumë se barazimi 1 me 1 ndaj “andaluzianëve” të Sevilla, duke vënë kështu në pikëpyetje kualifikimin e tyre drejt finales së madhe të UEFA Europa League.
Pas ndeshje, një “mini-analizë” të performancës së lojtarëve të tij e ka bërë dhe tekniku i Juventus, Massimiliano Allegri, i cili e tha haptazi se problemi kryesor mbrëmjen e djeshme ishte finalizimi i aksioneve të shumta që “bardhezinjtë” krijuan.
“Deri pranë portës, Juventus e lëvizi mirë topin, por kur arritëm te finalizimi, bëmë shumë gabime. Në kundërsulme, ne na kapën në befasi, sepse po linim hapësirë. Djemtë bënë një punë të mirë për të fituar përsëri dhe për të arritur një barazim të merituar, i cili lë gjithçka për ndeshjen e dytë”,- u shpreh Allegri.
Më tej, tekniku italian foli dhe për performancën fantastike të Paul Pogba, me francezin që duket t’i jetë rikthyer formës së dikurshme pas rikuperimit nga dëmtimi.
“Kur loja luhet në pjesën e kundërshtarit, Pogba është një lojtar i jashtëzakonshëm. Nëse do të ishte në formë optimale, sigurisht që do ta fusja në 11-shen startuese çdo ndeshje. Këtë mbrëmje ai dha një kontribut shumë të rëndësishëm”,- tha më tej tekniku italian.
Në përfundim të fjalës së tij, Allegri foli për penalltinë e mohuar në minutën e 85’-të të sfidës, si dhe për performancën e kundërshtarëve e për atë çka i pret në ndeshjen e kthimit në “Ramon Sanchez Pizjuan”.
“Në të gjitha vitet e karrierës sime nuk kam diskutuar asnjëherë për gjyqtarë. Më lejoni të them vetëm se e përgëzova skuadrën time që nuk e lanë incidentin t’i prekë, ata ruajtën qetësinë dhe pas pak minutash u rikthyen në lojë. Gjyqtarët do të gjykojnë nëse është penallti apo jo, ne nuk mund të harxhojmë energji për të. Kemi pasur mjaft incidente të pakëndshme këtë sezon, ne vetëm mund të heshtim dhe të fokusohemi në punën tonë.
Sevilla u mbrojt shumë mirë, ishte shumë agresive dhe sulmuesit e saj na vunë nën presion si të çmendur. E dimë se mund ta dëmtojmë kundërshtarin në një lojë të hapur dhe ndeshja e kthimit do të zgjasë 95 minuta, ndoshta edhe 120 minuta. Duam të arrijmë në finale”,- tha në mbyllje të fjalës së tij, trajneri i Juventus. /i.m /abcnews.al