Zgjedhjet/ Celibashi: PD në 422 qendra votimi pa komisionerë, “Bashkë Fitojmë” në 75

schedule12:03 - 9 Maj, 2023

schedule 12:03 - 9 Maj, 2023

Edhe pse na ndajnë pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të 14 majit, jo të gjitha partitë kanë komisionerë në çdo qendër votimi.

Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi u shpreh se ndër këto forca politike, janë Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë, në koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Celibashi u shpreh se Partia Demokratike nuk ka sjellë propozime për komisionerë në 422 qendra votimi, ndërsa Partia e Lirisë për 75 qendra votimi.

Në total, në të gjithë vendin janë 5213 qendra votimi.

“Në lidhje me ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit, janë 5212 në të gjithë vendin. Duhet të jenë 5213 sepse dje kemi marrë vendim për të shtuar edhe në qendër tjetër të posaçme votimi, në institucionin e vuajtjes së dënimit penal në Tepelenë. Me përjashtim të 61 qendrave të votimit të cilat janë me 6 anëtarë, 57 qendra votimi të cilat janë me 5 anëtarë, 79 qendra votimi që janë me 4 anëtarë dhe 17 qendrta votimi që janë me 3 anëtarë, pra, në zonën e Dropullit, të gjitha qendrat e tjera të votimit janë të përbëra prej 7 anëtarësh.

Partia SocialDemokrate nuk ka sjellë ende propozime për 450 qendra votimi. Partia Demokratike për 422 qendra votimi dhe Partia e Lirisë për 75 qendra votimi. Këto janë të dhënat e ditës së sotme”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!