KQZ nuk i heq mandatin kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Me vendim të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, Hajdari i dënuar me vendim të formës së prerë në Shqipëri për “Falsifikimit të vulave, i stampave ose i formularëve”, për shkak të mosdeklarimit të një dënimi të mëparshëm në Greqi në formularin e dekriminalizimit rezulton se e ka shlyer dënimin.
Ndaj dhe për Celibashin, kjo nuk përben ndalim të ushtrimit të detyrës, duke e konsideruar dënimin të shlyer dhe të paqenë.
“Aplikimi i nenit 63, a e vendos në kushtet e ndalimit apo jo? Ne kemi pasur një qëndrim për një rast të ngjashëm, por në gjykimin tim, sipas interpretimit që kam për ligjin, mendoj se nuk jemi në kushtet e ndalimit për këtë subjekt. Ky është një qëndrim që e kam mbajtur edhe më parë dhe jam i bindur në këtë interpretim. Nëse ndaj dikujt aplikohet neni 63, dënimi është i paqenë. Një gjë e paqenë është zero, është bashkësi boshe”- tha Celibashi.
Celibashi tha se për vendimin e tij ka dhe një precedent të mëparshëm, rasti i kryebashkiaku të Mallakastrës, për të cilin ësthë vepruar njësoj.
“Përtej diskutimit që mund të bëhet për moralin, fakti ligjor mbetet ky që thashë: ky subjekt nuk është në kushtet e ndalimit. Këtë qëndrim e kanë konfirmuar më herët edhe KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor për rastin e Mallakastrës. Për arsyet që i rendita, kryetari i Bashkisë Kuçovë nuk është në kushtet e ndalimit” tha ai.
Kreshnik Hajdari është dënuar në vitin 1999 në moshën 17-vjeçare për kalim të paligjshëm të kufirit në Greqi, nga gjykata e Janinës. Vite më vonë, pasi kandidoi për kryebashkiak të Kuçovës dhe fitoi, ai nuk deklaroi dënimin në formularin e vetëdeklarimit në KQZ. Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme dënoi me vendim të formës së prerë Hajdarin, me 6 muaj burgim, konvertuar në sherbim prove. Me vendimin e KQZ, Hajdari do të vijojë të qëndrojë kryebashkiak i Kuçovës deri në maj të vitit 2027 kur dhe i përfundon mandate./abcnews.al



