Transferimi i Milan Skriniar me parametra zero nga “zikaltërit” e Inter, duket se nuk do të jetë i fundit për PSG këtë sezon, me “gjigandët” e futbollit francez, që kërkojnë një tjetër lojtar nga organika e “gjarpërinjve” të Milanos, teksa këtë herë bëhet fjalë për një mesfushor.
Sipas mediave të huaja bëhet fjalë për “katalizatorin” kroat të mesfushës, Marcel Brozovic, me 30-vjeçarin që ka një kontratë tek Inter të vlefshme deri në verën e vitit 2026 dhe pritet t’i kushtojë jo pak francezëve.
Kroati pëlqehet shumë nga bordi i francezëve dhe pritet t’i japë fund “vuajtjeve” të tyre në mesfushë, teksa mësohet se kanë nisur bisedimet me agjentin e lojtarit. Ndërkaq, pritet që “zikaltërit” të kërkojnë një shumë të majme nga francezët. /i.m /abcnews.al