Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Janë hapur të gjitha qendrat e votimeve

schedule08:22 - 23 Prill, 2023

schedule 08:22 - 23 Prill, 2023

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konfirmoi se është bërë shpërndarja e materialeve zgjedhore nëpër të gjitha qendrat e votimit në katër komunat e veriut ku po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave Zveçan dhe Leposaviq.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë.

“Deri në këto momente që po flasim, është ora 08:00, sipas planifikimeve, ju njoftoj se është bërë shpërndarja e materialeve zgjedhor ku bën pjesë edhe fletëvotimet, natyrisht sikurse çdo herë dhe sipas procedurave, shpërndarja e materialeve është bërë në bashkëpunim dhe përcjelljen e Policisë së Kosovës. Sipas informacioneve që i kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna ku sot do të zhvillohet procesi zgjedhor janë hapur në kohë të gjitha qendrat e votimit në këto komuna”, deklaroi Elezi.

Gjithsej janë 19 qendra votimi në këto katër komuna veriore që do të presin qytetarët me të drejtë vote gjatë ditës së sotme për të hedhur votën e tyre. Gjashtë prej tyre janë të rregullta ndërkaq 13 qendrat e tjera janë alternative, ose kontejnerë.

Elezi konfirmoi se mediat janë të lejuara që të filmojnë në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa tha se do të kujdesen që të njëjtat të mos pengohen në punën e tyre.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!