Kujton gjë nga ikjet dramatike në Durrës? Sako: Ajo kohë ka lënë gjurmë në jetën time, ja pse u ktheva nga Italia

schedule08:39 - 22 Prill, 2023

schedule 08:39 - 22 Prill, 2023

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit dhe po ashtu kandidate e PS për një tjetër mandat, Emirjana Sako ka qenë e ftuara në Podcastin e tretë të kryeministrit, Edi Rama.

Teksa kryebashkiakja po fliste për jetën e saj dhe fëmijërinë, Rama e pyeti nëse mbante mend gjë nga ikjet dramatike të Durrësit.

Sako tha se në atë kohë ka qenë vetëm 8 vjeç dhe mban mend çdo gjë. Ajo kujton edhe një moment në familjen e saj, kur babai i saj ishte bërë gati që të nisej, por u ndalua nga gjyshja dhe shton se nëse babai i saj do kishte ikur, ndoshta ajo nuk do të ishte duke folur në këtë Podcast.

Po ashtu ajo tregon për studimet dhe specializimet e saj në Itali dhe arsyen pse u kthye nga Itali në Shqipëri.

Pjesë nga intervista:

Kryeministri Edi Rama: Ti duhet të kesh qenë sidoqoftë e rritur mjaftueshëm edhe pse ende e vogël për të filmuar me sytë e kuriozitetit fëminor momentet e mëdha dramatike të ikjeve nga Durrësi. Kujton gjë?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako:  Po, patjetër. Mendoj që këto kujtime kanë mbetur aty për më shumë sesa 30 vite deri kur në 8 gusht të vitit 2021 ne patëm një aktivitet me qytetin e Barit,  pra bashkia Durrës dhe bashkia e Barit, pati një aktivitet, i cili u bë dhe në Durrës dhe në Bari në kujtim të nisjes së anijes “Vlora”. Patëm ekspozita, takime dhe në ekspozita duke parë foto të ekspozitave mua më erdhi në kujtesë një pamje nga shtëpia ime dhe kujtoj që anijet që qëndronin në port nxinin nga njerëzit, por këtë gjë nuk kisha si ta kuptoja, nëse nuk po ndodhte diçka brenda shtëpisë time. Pra, kjo mund të ishte thjeshtë një pamje që humbte në sytë e një fëmije, por brenda shtëpisë time im atë bëhet gati që të niset për në Itali. Vishet, merr bukë me vete dhe priste një shokun e vet që të niseshin të dy. Në atë kohë gjyshja ime u alarmua sepse ne sigurisht ne e dinim që duhet të iknim, por jo pse duhet të iknim atje dhe nuk mund të iknim ne komplet si familje sepse ne ishim shumë të vegjël, unë dhe vëllai im, kështu që do nisej vetëm babai im. Ndërkohë gjyshja i lutej që “mos u nis, ke fëmije të vegjël, kush do kujdeset, babai jot është i paralizuar”, etj me radhë dhe këto e bënë atë që mos të nisej. Por ky diskutim brenda familjes shënoi, la një shenjë si të thuash në kujtesën time që në atë kohë isha 8 vjeçe. Nëse im atë do ishte nisur, besoj që nuk do ishim duke folur në këtë Podcast.

Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë jeta të çoi në rrugën e arkitekturës. Pse?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Unë kam pak dhunti për vizatim nga im atë sepse ai përveçse mekanik në UMB ka qenë dhe në institutin e projektimit nr. 6 që ka qenë në Durrës, pra ka qenë një nga institutet e projektimit të ushtrisë mesa kujtoj dhe ai kishte një prirje për vizatim, vizatim teknik etj dhe kishte një prirje inxhinierike. Kjo është trashëguar dhe tek unë dhe që në vitin e parë të gjimnazit, unë fillova të krijoja idenë e arkitekturës si formim. Duke qenë se në njëfarë mënyre e mora këtë vendim herët, u dedikova që të studioja dhe të fokusohesha më tepër në vizatim teknik, në vizatim të lirë, të gjitha llojet e grafikës le të themi plus në këto shkencat ekzakte, matematikë, fizik kam qenë mirë me mësime dhe këto bënë që të fokusohesha këtë 4 vjeçar të gjimnazit për të shkuar drejt konkursit vetëm në degën e Arkitekturës. Pra, nëqoftëse në kohën që unë konkurroja futeshin në konkurs në disa degë, pra këta që ishin mirë me mësime të paktën provonin mjekësi, inxhinieri, provonin disa degë, të cilat ishin të rëndësishme. Unë në fakt konkurrova vetëm në degën e arkitekturës dhe përfundova më tej studimet për të vazhduar të ushtroj profesionin tim

Kryeministri Edi Rama: Dhe vazhdove edhe me një shkollë apo specializim në Itali?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Po, kam bërë 2002-2008 ka qenë formimi në fakultetin e Inxhinierisë së ndërtimit, dega e arkitekturës dhe më tej në 2011 pata mundësinë që të bëj një specializim në Romë po për këtë për housing një tematikë nga këto të energjetikës, në degën e arkitekturës ku fillova dhe njëfarë eksperience në një studio projektimi atje dhe me thënë të drejtën isha e dyzuar të qëndroja apo të kthehesha.

Kryeministri Edi Rama: Këtë doja të të pyes. Pse u ktheve?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Atje duhet të merrja tre mjete që të shkoja në punë duhet të mbaja një laptop nja një orë në kurriz, domethënë do ndërroja dy autobusë dhe një metro që të arrija në këtë studio. Punoja gjithë ditën pa asnjë ditë pushimi për të bërë të njëjtën rrugë në kthim dhe sigurisht në Romë konkurrenca është shumë e madhe, është një qytet, i cili dhe studentët i vendos përpara një blloku sepse ka bukuri të rëndësishmë e të tjera me radhë. Ka shumë studio arkitekture. Ka një konkurencë të madhe. Kishte shumë arkitektë, të cilët punonin kamariera në qendër historike dhe ku fitonin shumë herë më tepër sesa të ushtronin profesionin dhe kjo më bëri që të mendoj që në Shqipëri kisha më shumë hapësira për të ushtruar profesionin tim dhe patjetër kisha më shumë hapësira për të punuar.r.t/abcnews.al