Arrestimi i drejtorit të KEK-ut përplas pushtetin dhe opozitën

schedule15:24 - 20 Prill, 2023

schedule 15:24 - 20 Prill, 2023

Arrestimi i drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka përplasur pushtetin dhe opozitën në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetë nga opozita kanë kërkuar nga zyrtarë të Qeverisë që të japin më tepër informacione për arrestimin e tij, pasi, sipas tyre, Nagip Krasniqi ka qenë zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se më 19 prill është arrestuar një person me inicialet N.K., nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.

Autoritetet e drejtësisë kanë njoftuar se N.K. është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo çështje [arrestimi] ka fakte, me të cilat merret sistemi i drejtësisë, dhe se nuk duhet “të zhvillohet gjyq në Kuvend për Nagip Krasniqin”.

“Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e Nagip Krasniqit. Por, ky është fakt i opozitës nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, që ka pasur keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria”, tha Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, kërkoi nga ministrja e Ekonomisë t’i njoftojë deputetët se për çfarë vlerash financiare dyshohet që ka abuzuar drejtori i KEK-ut.

“Ne kemi parë që aty është bërë një abuzim jashtëzakonisht i madh, prej subvencionimit të tarifave, pastaj tenderët njëburimor. Le të na tregojë sa është vlera e monetare e këtyre abuzimeve, e shumë e shumë çështje të tjera që lidhen më punësime. Sepse Nagip Krasniqi ka qenë zyrtar i lartë i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ky zyrtar është arrestuar”, u shpreh Tahiri.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para deputetëve tha se ende nuk ka informata zyrtare nga institucionet e drejtësisë për arrestimin e drejtorit të KEK-ut.

“Skandali i Nagip Krasniqit e bën përgjegjëse drejtpërdrejt Qeverinë”, tha Hykmete Bajrami, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

“Për shkak se Nagip Krasniqi është eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje, është personi që e ka shkruar programin për energji për këtë parti, si kryesues i Komisionit për energjinë për Lëvizjen Vetëvendosje, ai e ka draftuar Strategjinë e Energjisë. Ai ka bërë qe 15 muaj, të merren vendime në këtë Kuvend, të jemi në masa emergjente në mënyrë që të importojë energji dhe të bëhen tenderë të negociuar”, theksoi ajo.

Që nga vera e vitit të kaluar, Qeveria ka vendosur masa emergjente të energjisë për shkak të krizës energjetike të Kosovës.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Qeveria që të ndërmarrë masa ndaj Nagip Krasniqit.

“Kur dikush prej jush nuk ec si duhet, duhet t’ia tregoni vendin. Nuk besoj që është besnikëri të marrësh vendime të gabuara kundër interesit të vendit. E lus kryeministrin ta marrë anën e ligjit dhe drejtësisë”, tha ai.

Korporata Energjetike e Kosovës është një ndër ndërmarrjet kryesore energjetike në vend. Asetet e korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!