“Arrest në burg” vendosi Gjykata e Tiranës për Ilir Bendon, drejtuesin teknik të “Skelës Syla”, ndërsa për drejtuesin teknik të punimeve në kompaninë “Xhimi”, u vendos arrest shtëpiak. Para trupit gjykues, Bendo tha se ka respektuar kontratën. Nga rrëzimi i skelës mesditën e 16 Gushtit, humbën jetën dy punëtorë dhe u plagosën 3 të tjerë.
Pas aksidentit të rëndë gjatë punës, ku humbën jetën dy punonjës, Gjykata e Tiranës la në burg Ilir Bendon, drejtues teknik në kompaninë e skelave ‘Syla’. Ndërsa për Xhimi Tarushin, Drejtues teknik të punimeve në kompaninë “Xhimi”, gjykata caktoi masën “arrest shtëpie”.
Bendo dhe Tarushi akuzohen për shkelje të “sigurisë në punë”, çka solli edhe tragjedisë në rrugën “Faik Konica”. Ngjarja ndodhi 3 ditë më parë gjatë kryerjes së termoizolimit të një pallati 13-katësh në kryeqytet, ku humbën jetën 2 punëtorë dhe u plagosën 3 të tjerë.
Përpara gjyqtarit Sokol Tona, Bendo u shpreh se ka respektuar kontratën dhe rregullat e sigurisë në punë, duke sqaruar se detyra e tij është ndjekja e procesit të montimit të skelës dhe jo atë të çmontimit.
Avokati i Ilir Bendos, Marash Ibraj tha se nëse skelat do të ishin montuar gabim, ato do të kishin rënë më herët pasi ka rreth një muaj që nga vendosja e skelës. Organit të akuzës nuk i ka mbërritur ende akt-ekspertimi, i cili pritet që të hedhë dritë mbi të vërtetën e shembjes së skelës.
5 punëtorët pasditen e 16 Gushtit kishin hipur në skele për t’i dhënë dorën e fundit restaurimit të fasadës së pallatit 13-katësh, por për shkak të mosrespektimit të kushteve të sigurisë në punë, skela u shemb nga kati i dhjetë në të dytin, duke u marrë jetën Orjan Kodrës dhe Ergys Brahimit.
Të plagosur mbetën punëtorët Gentian Bardhi, Euglidios Lika dhe Altin Marku, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës.
/ABC News Albania 24/7