Analisti Berisha për zgjedhjet në veri të Kosovës: Serbët po kërcënohen nga grupet kriminale

schedule16:37 - 15 Prill, 2023

schedule 16:37 - 15 Prill, 2023

Analisti Ridvan Berisha thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, ku shumica e popullisë është serbe, janë në pikëpyetje sa i takon legjitimitetit.

Në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Berisha u shpreh se serbët lokalë janë nën kërcënimin e grupeve kriminale, që t’i bojkotojnë këto zgjedhje.

Sipas Berishës, nuk mund të ketë kryetarë shqiptarë në këto komuna me shumicë serbe.

“Zgjedhjet kanë legalitet, por është në pikëpyetje legjitimiteti i tyre për shkakun se, serbët që jetojnë në veri tëKosovës, nën drojën, nën kërcënimin e grupeve kriminale atje, nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo bën të diskutueshëm këtë proces zgjedhor në pikëpamje të legjitimitetit, jo të legalitetit. Nuk mund të ketë një kryetar shqiptar në Zbveçan, Zubin Potok, Leposaviç dhe Mitrovicë të Veriut, përsa kohë që aty kemi një popullsi të koncentruar me shumicë serbe.

Prandaj, Serbia insiston që t’i përdorë këto si alibi, kushtëzimet e saj në raport me një vijim të procesit të konsolidimit të dialogut, të marrvëshjes së 27 shkurtit dhe 18 marsit, që të paraqitet si palë e domosdoshme, për të ndërtuar çfarëdo konteksti politik në Kosovë. Kjo do të ishte një problem serioz. Unë nuk e çoj problemin te Serbia, problemi është bashkësia ndërkombëtare. BE nuk duhet të toleronte që Vuçiç të trimërojë Listën Serbe, që të refuzojë të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Ky dështim ka vulën e presidentit të Serbisë. Me gjasë, Kosova do t’i zhvillojë këto zgjedhje”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!